Skënderbeu vazhdon të ndërtojë me kujdes skuadrën për sezonin e ri, me synimin e qartë për t’u rikthyer në Superiore. Drejtori sportiv Ardi Gjanci ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit Salim Abubakar. Sipas “Panorama Sport” bardhekuqtë kanë gjetur marrëveshjen me Sassuolon dhe lojtari i lindur në Niger do të zbarkojë në Korçë.
Abubakar luan si mesfushor qendre, tipik numër 8-sh. Me eksperiencë në futbollin italian dhe potencial premtues, Abubakar do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka, duke shtuar cilësi dhe alternativë në repartin e mesfushës. Po ashtu i riu ka luajtur me përfaqësuesen e Nigerit.
Abubakar sezonin e fundit e ka luajtur në Serinë C italiane, duke qenë pjesë e ekipit të Pergoletezes. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në projektin e Skënderbeut për të ndërtuar një ekip të fortë dhe konkurrues, që do të synojë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar që në këtë sezon.