Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia ka marrë zyrtarisht pushimet pas ndeshjes së fundit ndaj Egnatias. Kjo, sa i përket futbollistëve, sepse për drejtuesit nuk është aspak një periudhë pushimesh. Kështu mund të thuhet, sepse ata po piketojnë emrat e parë të merkatos që do të bëjnë dhe futbollistët që do të afrojnë.

Fillimisht, para se të flitet për futbollistët që do të afrohen, në klub kanë nisur largimet. Në fakt, jo të gjithë futbollistët kanë bindur dhe tashmë, Juriç, Stojanoviç dhe Kahrimanoviç mund të quhen të larguar, edhe pse jo zyrtarisht. Po ashtu, pritet që disa prej futbollistëve aktualë të skuadrës shkodrane, të diskutojnë me klubin nëse do të jenë pjesë e tyre edhe në sezonin e ardhshëm.

Disa futbollistëve u ka përfunduar kontrata që i mbante lidhur me skuadrën e Vllaznisë dhe presin të diskutojnë me presidentin Alban Xhaferi për të mësuar të ardhmen e tyre.

Burime nga skuadra shkodrane theksojnë se do të ketë disa futbollistë, të cilët për sezonin e ardhshëm nuk do të jenë pjesë e skuadrës së Vllaznisë, por baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në repartet rrespektive, mbrojtje, mesfushë dhe sulm.(www.shkodrasport.com)