Në ekosistemin financiar të futbollit në kohët moderne po gjen gjith një e më shumë vend termi “pronësi e shumëfishtë”. Manjatë, sheikë, multimilionerë nga të katër anët e botës, ose grupe të mëdha investitorësh kanë vendosur të hedhin paratë e tyre në futboll.

Por ata nuk janë mjaftuar me një klub, por kanë vënë duart mbi disa klube. Pronësia e shumëfishtë nuk është një fenomen tërësisht i ri. Ai ka ekzistuar që disa dekada më parë, por shumë më i izoluar – i tillë ka qenë rasti i “ENIC” – por në vitet e fundit është zgjeruar gjithnjë e më shumë dhe rastet e pronësisë së shumëfishtë janë bërë një fenomen gati i përditshëm. “Ne nisemi nga fakti që ‘City Group’ (Siti Grup) ka 11 klube në pronësi, shohim ‘Red Bull’- in, ‘Red Bird’ (Red Bërd) apo ‘777 Partners’.

Është një fenomen i ri me klube me pronësi të shumëfishtë, që tregon se futbolli është shumë i gjallë dhe tërheq investitorë”, deklaronte tashmë ish-presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, në takimin e drejtuesve të lartë të klubit torinez e që nënkuptonte lamtumirën e tij nga Juventusi.

Megjithatë, nga “The European Club Footballing Landscape” (Panorama Europiane e Futbollit të Klubeve) që është pjesë e UEFA-s, në një raport që kryhet çdo vit, nënvizohet se fenomeni i pronësisë së shumëfishtë mund të përbëjë një kërcënim real për integritetin e kompeticioneve europiane në nivel klubesh. Ata nënkuptojnë se ka gjithnjë e më shumë gjasa që dy skuadra, të cilat ndajnë pronësi të përbashkët (ose një pjesë të saj) të përballen me njëra-tjetrën në fushë në kompeticionet europiane.

Një precedent ekziston tashmë. Në vitin 2018, kur dy skuadrat që zotërohen nga kompania “Red Bull”, Lajpcigu dhe Salcburgu u përballën mes tyre në Ligën e Europës. Edhe pse UEFA nuk lejon përballje të tilla, në fakt takimi mes dy klubeve Red Bull u zhvillua normalisht. Asokohe shefi i Red Bull-it, Ditrih Mateshic, ia hodhi UEFA-s.

Përballja në fushë me njëri-tjetrin mes dy klubeve që ndajnë të njëjtin pronar është vetëm njëra anë e medaljes e fenomenit të pronësisë së shumëfishtë. Ka dhe të tjera dhe një nga gjërat më të zakonshme është të shohësh huazime apo transferime mes klubeve “vëllezër” që “lidhin” çdo dritare të merkatos me natyralitetin më të madh, pavarësisht se janë në vende apo kontinente të ndryshme. “City Group” ose “Red Bull” janë më të njohurit, por në botën e futbollit të sotëm ka galaktika të panumërta të vogla në universin e futbollit.

“CITY GROUP” (Emiratet e Bashkuara Arabe)

Në vitin 2008, “Abu Dhabi United Group” mori përsipër të blejë Mançester Sitin, duke ndryshuar historinë e Premier Ligës. “Qytetarët”, nën ombrellën e Emirateve dhe me shtytjen e muskulaturës ekonomike të shtetit të Gjirit Persik, u bënë një emër i madh në Angli dhe Europë. E gjitha kjo falë kontributit ekonomik, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të Emirateve të Bashkuara Arabe. Mansour bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër dhe anëtar i familjes në pushtet të vendit, është bosi i “City Group” që ka në përbërje të vet gjithashtu edhe investitorë kinezë dhe amerikanë. Mançester Siti ishte një skuadër historike në futbollin britanik, por gjithnjë nën ombrellën e Mançester Junajtidit. Në vitet ‘60 dhe ‘70, Siti u vendos në mesin e elitës së Anglisë, por vetëm në vitin 2008, pas zbarkimit të grupit të investitorëve nga Abu Dhabi, ai filloi të ishte një gjigant. Dhe që nga viti 2013, “City Football Group” është një realitet. Fillimisht u përhap në Amerikë (Nju Jork Siti), më pas në Australi (Melburn Siti), pasuar nga Azia (Jokohama Marinos)… dhe tani ka deri në 12 klube, në pesë kontinente. Natyrisht që flamurtari i këtij grupi është Mançester Siti, i kthyer në një nga skuadrat më të mira në botë. Që nga viti 2008 ata kanë fituar 17 trofe të ndryshëm, kanë arritur njëherë në finalen e Ligës së Kampioneve (2021) dhe kanë pasur e kanë në përbërje të tyre yje si Haland, Aguero, David Silva, De Bryjne… dhe një trajner si Pep Guardiola. “Qytetarët” kanë mundur të ndryshojnë ekuilibrin e fuqive në Premierë dhe në futbollin europian. Edhe klubet e tjera të “City Football Group” janë në elitë në vendet e tyre… ose po kërkojnë të ngjiten aty së shpejti. “

RED BULL” (Austri)

Sporti ka qenë gjithnjë pjesë e agjendës së “Red Bull”-it. Marka austriake e pijeve energjike (nga më të mëdhatë në botë) u ka sjellë miliona euro përfitime dy bashkëthemeluesve të saj, sipërmarrësit austriak Ditrih Mateshic dhe tajlandezit Çaleo Jovidia. Ata kanë investuar fuqishëm në sporte të tjera, veçanërisht në sportet ekstreme (“BMX”, ski, fluturime) dhe në Formulën 1 me “Red Bull” i shpallur kampion për konstruktorë në vitet 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2022 si dhe kampion për pilotë me Fetel në periudhën 2010- 2013 dhe Maks Vershtapen në dy vitet e fundit. Këto kanë qenë disa nga aventurat e tjera që kanë lindur pas ose kanë ecur paralelisht me investimet në botën e futbollit. Në vitin 2005, “Red Bull” bleu klubin austriak “SV Austria Salcburg” dhe e quajti atë “Red Bull Salcburg”. Më vonë, ata morën kontrollin e “MetroStars” në SHBA duke e transformuar në “Nju Jork Red Bulls”. Në vitin 2007 ata depërtuan në Amerikën Latine në Brazil me “Red Bull Bragantino” dhe në vitin 2009 arritën të blinin “SSV Markranshtad” nga Lajpcigu, i cili ishte në Kategorinë e Pestë të futbollit gjerman, duke e riemëruar atë në “RB Lajpcig”. Në harkun e tetë viteve ata e ngjitën Lajpcigun në Bundesligë (2017) dhe që atëherë ata kanë luajtur pesë herë në Champions League. Për vetë ngritjen artificiale të tyre – të paktën kështu e quajnë në Gjermani – ata janë kthyer në “armikun publik numër një” në futbollin gjerman. Oliver Minclaf ka qenë drejtori global i futbollit që nga viti 2014 për perandorinë “Red Bull GmbH”. Trofeun e parë Lajpcigu do ta fitonte në sezonin e kaluar kur siguroi Kupën e Gjermanisë. Në Austria, Salcburgu nuk ka rivalë. Përveç kësaj, sistemi i tij i zbulimit të talenteve ka qenë vërtet i shkëlqyer, teksa ekipet e menaxhuara nga “Red Bull” kanë prodhuar emra të mëdhenj si Haland, Mane, Kimish, Nkunku, Konate, Keita sa për të përmendur disa.

“777 PARTNERS” (SHBA)

“777 Partners” e konsideron veten si “një platformë alternative investimi që ndihmon sipërmarrësit e guximshëm t’i kthejnë vizionet në vlera të qëndrueshme”. Një prezantim aq i bukur sa vështirë të besohet se është i vërtetë. Edhe në Sevilje, ku ata janë pjesë e aksioneve në mënyrë të reduktuar (8%), ata e dinë se për çfarë po flasin. Protestat e aksionarëve të vegjël kanë qenë të shumta. Në realitet, ata kanë lindur të specializuar në sektorë të tillë si sigurimet, aviacioni dhe media e argëtimi. Futja në botën e futbollit e kompanisë amerikane ka qenë e furishme. Dhe duket se nuk do të ndalen me kaq. Ata kanë vulosur blerjen e një pjese të aksioneve të Hertës së Berlinit dhe nuk duket se kanë një limit. Në një periudhë prej gati dy vitesh ata kanë zbarkuar në Brazil, Belgjikë apo Itali dhe kanë blerë klube historike me një masë të madhe shoqërore. Gjithmonë, meqë ra fjala, me “çmim okazion”, duke përfituar nga momenti i keq që po përjetonin. Tani ata po kërkojnë të ridrejtojnë situatat e vështira ekonomike e financiare në “klubet e tyre të reja”. Standard Liezhi është ende në ligën e parë belge, Xhenoa po kërkon ngjitjen në Serinë A, teksa Vasko da Gama sapo është ngjitur në elitën e futbollit brazilian.

ZHOZEF OGURLIAN (Francë)

U shfaq në botën e futbollit në vitin 2015, por më parë kishte menaxhuar pasurinë e tij (dhe e bëri atë të rritet) përmes fondit aksionar “Amber Capital” (Amber Kapital). Kështu hyri në botën e futbollit, kur bleu 85% të aksioneve të një klubi historik kolumbian: “Mijonarios de Bogota”, i cili ishte në telashe. Por Ogurlian donte të ishte pjesë e futbollit francez. Një vit më vonë (2016), ai mori përsipër Lens, të cilin e shëroi shpejt. Ecuria e Lensit ishte e shkëlqyer dhe përfundoi me kthimin e Lensit në Ligue 1, ku tani po lufton për një vend në Ligën e Kampioneve. Ai ka qenë tepër i suksesshëm me verdhekuqtë, teksa në të gjitha tregjet e transferimeve, ai pothuajse nuk ka shpenzuar kurrë më shumë sesa ka fituar… si dhe duke mbajtur një politikë të afrimitetit të plotë me tifozët e skuadrës veriore franceze. Pas suksesit me Lensin, në vitin 2017 ai bleu klubin e tij të tretë, Padovën në Itali, aty ku suksesi është më pak i dukshëm me klubin verior që militon në Serinë

C. FAMILJA POCO (Itali)

Në moshën 81-vjeçare, Xhampaolo Poco është një nga pronarët e mëdhenj të futbollit europian. Ai është pronari më jetëgjatë i futbollit italian dhe Udineze e tij është vendosur në zonën e komfortit në elitën e futbollit italian. Ai mbërriti në vitin 1986 dhe ka diversifikuar investimet e tij, duke kaluar nëpër Angli apo Spanjë duke blerë klube të tjera. Pasuria e tij vjen nga një biznes familjar i dedikuar për prodhimin e mjeteve industriale. Tek Udineze, ai u kthye nga president në pronar i vetëm pas një skandali që shpërtheu në vitet ‘90. Megjithatë, skuadra e tij siguroi (dhe jo rrallë) praninë e saj në Europë apo ato pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve në shekullin XXI, duke u bërë pjesëmarrës i rregullt në Serinë A dhe përfaqësuesja më e denjë e rajonit të Friulit. Duke qenë aksionar tek Espanjoli, në vitin 2009 rriti praninë e saj në Spanjë duke blerë Granadën. Ishte atëherë kur transferimet mes klubeve u bënë të shumta. Në vitin 2012, dyshja do të bëhej treshe kur familja Poco bleu Uotfordin, i cili po kalonte një krizë të rëndë financiare dhe ishte në Championship (Kategoria e Dytë angleze). Udineze dhe Uotfordi përbëjnë sot “Universin Poco” në botën e futbollit, teksa ai më parë ka shitur Granadën. “Sekreti i suksesit është struktura fantastike që familja Poco ka krijuar në 30 vitet e fundit” ka thënë për “Marca”, Andrea Karnevale, kreu i zbuluesve të talenteve të Udinezes.

VINSENT TAN (Malajzi)

Vinsent Tan është një biznesmen dhe investitor i cili, nën ombrellën e “Berjaya Corporation Berhad”, një konglomerat që kontrollon sektorë të ndryshëm si pasuritë e paluajtshme, industrinë ushqimore, lodrat, telekomunikacioni… mblodhi një pasuri të tillë, që e lejoi të bënte hapin e madh drejt futbollit. Në vitin 2010, Tan bleu Kardif Sitin me premtimin se do ta kthente në elitën e futbollit anglez. E bëri… por me çmimin e vlerësimit të shumë fansave. Një nga planet e tij ishte të ndryshonte ngjyrën e klubit nga blu në të kuqe… dhe nëse do ta linin ta bënte, ai premtoi se do të investonte 100 milionë sterlina. Ata nuk u lejuan dhe protestat ishin të jashtëzakonshme. Në vitin 2013, ai mori drejtimin e FK Sarajevës në Bosnjë dhe në vitin 2015 bleu dhe belgët e Kortrijk. Përveç kësaj, ai ka interesa në “Los Angeles FC” në kampionatin amerikan “MLS League”. Nën drejtimin e tij Kardifi ka arritur të ngjitet dy herë në Premier (2013 dhe 2018). Në vitin 2012 Kardifi ishte finalist në Kupën e Ligës. Ai ka pasur më shumë sukses me Sarajevën, kampione e Bosnjës në vitet 2015, 2019 dhe 2020, ndërsa Kortrijk militon në pozita komode në elitën e futbollit belg.

“RED BIRD” (SHBA)

Në gusht 2022, fondi amerikan “RedBirdCapital” arriti një sukses të madh që kishte përgatitur prej muajsh: fitoi përballë rivalitetit të Bahrejnit për të blerë Milanin, duke vënë duart mbi një nga klubet ikonë të futbollit italian e atij botëror. Ky fond shpenzoi 1.2 miliardë euro për të blerë klubin “rossonero” (kuqezi). Por Milani nuk ishte aspak ndalesa e parë e këtij fondi në botën e sportit. “Red Bird”, koka e dukshme e të cilit në Milano është Geri Kardinale është i specializuar për të investuar në botën e sportit. Një shembull është aksioni i tij pakicë në “Fenway Sports”, i cili zotëron Liverpulin dhe ekipin e bejsbollit “Boston Red Sox”. Përveç kësaj, ata janë aksionari kryesor i Tuluzës në kampionatin francez. “Ne do të përpiqemi të shfrytëzojnë rrjetin tonë global të klubeve dhe mediave, si dhe eksperiencën tonë analitike, historinë tonë në zhvillimin e impianteve sportive për ta mbajtur Milanin në elitën e futbollit europian dhe botëror”. Kjo është deklarata e grupit amerikan në prezantimin te Milani. Megjithatë, për momentin, investimet në merkato kanë qenë me pikatore dhe tepër të kujdesshme. Deri më tani ata më së shumti janë kufizuar, duke përfituar nga burimet që gjeneron klubi… duke mos i lënë shumë të lumtur tifozët e tyre. Gjithsesi, suksesi i parë i vogël nëse mund të quhet kështu ka ardhur vetëm pak ditë më parë kur Milani pas 12 vitesh mundi të kthehej sërish në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

ROBERT PLATEK (SHBA)

Amerikani Robert Platek është një nga “fytyrat e reja” të futbollit. I specializuar në menaxhimin e fondeve dhe analizën financiare, suksesi i tij i madh ishte blerja e Specias në Serinë A. Ai e bleu klubin ligur në vitin 2021 për 24 milionë euro. Siç shpjegoi “Sky Sport Italia”, faktori vendimtar në blerjen e këtij klubi ishte “dashuria e Platekut për Cinque Terre”, një nga rajonet më të bukura të Italisë dhe Mesdheut. Specia nuk ishte ndalesa e parë e tij në futbollin europian. E kishte bërë më parë, por pa shumë zhurmë. Sënderjyske në Danimarkë dhe Kaza Pia në Portugali ishin nën komandën e tij. Platek, me origjinë polake, por me shtëpinë e tij në Virxhinia, Shtetet e Bashkuara, është një mbrojtës i “përulësisë dhe punës”. Ai përpiqet që klubet e tij të transmetojnë të njëjtën gjë. Kjo është arsyeja pse ai bën blerje nga ato që quhen diskrete, pa shumë bujë e emër dhe më pas i rrit. Specia, një skuadër e re në Serinë A, teksa Kaza Pia në Portugali është kthyer në skuadrën surprizë të sezonit në elitën e futbollit luzitan. Ai e ka ndërtuar perandorinë e tij nëpërmjet transferimeve “të nëndheshme”, duke bërë merkato mes klubeve që zotëron. Në të kaluarën, ai u përpoq të zbarkonte në Angli me klube si Sandërlendi, Derbi Kaunti apo Sauthempton, por pa sukses. Mbetet për t’u parë nëse Anglia do të jetë ndalesa e radhës për të.

ABDULLAH BIN MUSAID AL SAUD (Arabi Saudite)

Djali i princit të Arabisë Saudite, Mosad bin Abdul Aziz Al Saud, kishte interesa në industrinë e letrës përpara se të hidhej në sport përmes “United World Group”, i cili kontrollon pesë ekipe në të gjithë globin. Ashtu si me investitorët e tjerë të Lindjes së Mesme, kapitali i saj vjen nga investimet shtetërore. Grupi i drejtuar prej tij bleu 50% të aksioneve të Shefild Junajtidit në vitin 2013, duke e çuar në 100% në vitin 2018. Shefildi ishte basti i tij i madh. Në të njëjtin vit, zbarkoi në Bershot (2018). Në vitin 2020 ata blenë Al Hilal të Dubait dhe Kerala Junajtid në Indi. Më vonë, në vitin 2021, ata zbarkuan në Francë për të blerë klubin e Kategorisë së Tretë, Shateru, duke i dhënë formë perandorisë së tyre. Shefildi arriti të ngjitej në Premier Ligë në vitin 2019, duke qëndruar dy sezone në elitë. Një ekip historik që rivalizoi edhe njëherë me më të mirët. Këtë sezon ata po luftojnë për t’u rikthyer në ligën më të mirë në botë.

ÇIEN LI (SHBA)

Një tjetër nga ata emra që tingëllojnë pak për publikun e gjerë, por prania e të cilëve në futbollin europian është e shumtë. Çien Li është një sipërmarrës dhe investitor kinezoamerikan, kompania e të cilit “New City Capital” është e fokusuar në industrinë e sportit dhe hotelerisë. Aty lindi perandoria e tij… dhe ajo rritet dit-ditës në planetin e futbollit. Ai mori drejtimin e Barnslejt në vitin 2017. Më parë, ai ishte përpjekur të blinte Midëllsbroun, Hall Sitin dhe Brentfordin në Angli si dhe kishte pasur një qëndrim të shkurtër në Francë me Nicën. Futbolli anglez, siç kanë treguar shumë prej këtyre manjatëve, është objektivi kryesor për investitorët. Më vonë, ai bleu Ostenden në Belgjikë, Esbjergun në Danimarkë, Den Bosh në Holandë, Kaizerslauternin në Gjermani, Nansinë në Francë dhe zviceranët e FC Tun, duke formuar një nga konglomeratet më të mëdha në futbollin europian. Por rezultatet nuk kanë qenë mbresëlënëse. Asnjë nga klubet e tij nuk ka pasur një ndikim të madh në vendet e tyre nëse flasim për fitimin e trofeve. Të gjithë kanë milituar në ligat e ulëta ose kanë pasur një qëndrim kalimtar në elitë…

SAPUTO GROUP (Kanada)

Është një klasik futbolli. Ky biznesmen kanadez, marka familjare e të cilit është e lidhur me botën e produkteve të qumështit, ishte një pjesë thelbësore në lindjen e “Montreal Impact” (tani CF Montreal), një ekip i MLS League në SHBA. Për të treguar se prania e tij nuk është thjesht një datë, stadiumi mban emrin e kompanisë së tij: “Stadiumi Saputo”. Vite më vonë, në 2014-ën, ai zbarkoi në Europë. “Saputo Group” bleu një klub historik në futbollin italian si Bolonja në përpjekje për ta kthyer atë në versionin e saj më të mirë. Nuk ia ka dalë por gjatë rrugës ka investuar më shumë se 200 milionë euro. Tani ka në plan për të rikonstruktuar stadiumin “Dall’Ara” (duke investuar edhe më shumë para) tregon se ai mbetet i përkushtuar ndaj klubit dhe qytetit.

Revista “Forbes” e përcakton Ribolovlevin si një nga njerëzit më të pasur në botë. Në vitin 2011, ai bleu Monakon (ai banon në Principatë) dhe arriti të krijojë një nga skuadrat më ikonike në futbollin francez në shekullin XXI: atë që eliminoi Sitin në Champions League 2016’-17. Një skuadër që përfshinte lojtarë si Mbape, Bernardo Silva, Bakajoko, Sidibe, Fabinjo, Mutinjo, Falkao apo Mendi. Pasuria e tij vjen pjesërisht nga “Uralkali”, kompania ruse që kohët e fundit ishte e pranishme në Formulën 1 në duart e Nikita Mazepin. Vite më vonë, në 2018, ai u arrestua pas një hetimi policor që e akuzonte për “korrupsion” dhe “shpërblim ndikimi”.

ROKO KOMISO (SHBA)

Me origjinë italiane (konkretisht nga Kalabria), por i rritur në Shtetet e Bashkuara, Roko Komiso është shembulli i përsosur i “Calcio”-s së re: biznesmenë me shumë para që vijnë në Itali për të provuar ta kthejnë Serinë A në një Premier League të dytë. I pëlqen të flasë me shtypin, tashmë ka “hedhur” më shumë se 500 milionë euro në Firence dhe po ndërton “Viola Park” (një nga objektet sportive më të mëdha sot në futboll), si dhe stadiumin e ri të Fiorentinës (projekt për të ardhmen). Komiso, themeluesi i “Mediacom”, një nga operatorët kabllorë më të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara, kishte hyrë tashmë më parë në futboll. Ishte në vendin e tij, në SHBA, në vitin 2017, kur ai mori përsipër një klub historik: Nju Jork Kozmos, i cili po përjetonte një situatë të vështirë financiare.

UILLIAM “BILL” FOLEJ (SHBA)

Biznesmeni amerikan, pasuria e të cilit vlerësohet në një trilion dollarë dhe zotëron ekipin e “Vegas Golden Knights” në kampionatin amerikan të hokejit në akull (NHL), së fundmi ka zbritur në futbollin evropian… dhe nuk ka ndërmend të kalojë pa u vënë re. Në dhjetor 2022, Folej mori përsipër Bërnmothin, një ekip i Premier Ligës që po lufton për mbijetesë, e që në janar 2023 tregoi se kishte kapacitete të mjaftueshme financiare për të bërë afrime të rëndësishme në merkato. Në janar 2023, ai bleu pakicën e aksioneve të Lorientit në Francë, krijuar një partneritet bashkëpunimi me klubin anglez, siç është njoftuar në një deklaratë të grupit të tij. Koha është shumë e shkurtër për të parë rezultatet sportive, por bashkëpunimi mes dy klubeve ka treguar se është i frytshëm dhe premtues për të ardhmen.

TONI BLUM (Britani e Madhe)

Pronari i Brajtonit që nga viti 2009, britaniku Toni Blum, një lojtar profesionist pokeri, e grumbulloi pasurinë e tij përmes lojërave të fatit. Dhe baza e madhe e të dhënave e kompanisë së tij “Star Lizard” ishte kyçe në një model të transfertave “Moneyball” që po i jep sukses klubeve të tij. Në vitin 2018, ai mori përsipër Union SG në kategorinë e dytë të Belgjikës, duke e ngritur atë në Kategorinë e Parë. Të dyja skuadrat funksionojnë të pavarura por kanë një marrëveshje që lejon transferimin e lojtarëve mes dy klubeve.

“KING POWER INTERNATIONAL GROUP” (Tajlandë)

Viçai Srivadanapraba ishte një miliarder tajlandez që themeloi “King Power” (King Pauer), një kompani pa taksa që e lejoi atë të grumbullonte një pasuri me të cilën ai bleu Lester Sitin në 2010-ën. Në vitin 2018, ai vdiq në një aksident me helikopter, duke marrë me vete djalin e tij. Historia e “dhelprave” është e njohur. Në mes të suksesit të tij, ai mori përsipër Leuven në vitin 2016. Që nga viti 2021 ata janë në Kategorinë e Parë të Belgjikës dhe ka shumë lojtarë që kanë ardhur në Belgjikë në formë huazimi nga Anglia. Me “King Power”, Lesteri u ngjit në Premier Ligë në 2014 dhe e fitoi atë në 2016, në një nga surprizat më të mëdha në historinë e futbollit anglez.

METJU BENHAM (Britani e Madhe)

U diplomua në Universitetin e Oksfordit me një diplomë në fizikë përpara se të kalonte në pozicione të larta në Bankën e Amerikës. Megjithatë, sporti ishte gjithmonë pasioni i tij i madh. Në vitin 2001 ai filloi të punojë në një libralidhës të drejtuar nga… Toni Blum, pronar i Brajtonit. Në vitin 2004, pas një sherri mes të dyve, Benham themeloi konsulencën e tij (“Smartodds”) dhe në vitin 2011 krijoi “Matchbook”, një nga faqet më të mëdha të internetit për sa i përket basteve. Në vitin 2012, Benham bleu Brentfordin – një klub me të cilin ai është një tifoz – për ta shpëtuar atë nga falimentimi dhe në 2014 ai zbarkoi në Danimarkë me Midyllandin. Me Benham, Brentfordi u ngjit fillimisht në “Championship” dhe më pas në Premier Ligë në vitin 2021, duke qenë surpriza e madhe e Ligës angleze dy sezonet e fundit.

ATLETIKO MADRID (Spanjë)

Për disa sezone, Atletiko e Madridit ka vendosur të përhapet dhe në vende të tjera me qëllim zgjerimin e markës “Rojiblanco”. Projekti i parë i madh ishte Atletiko Kalkuta në Indi… por në vitin 2017 mori fund. Pas kësaj eksperience “ekzotike”, klubi spanjoll zgjodhi ekskluzivitete të reja në dy vende amerikane: San Luis (Meksikë) dhe Otava (Kanada). Megjithatë, basti i madh i klubit nga Madridi është në Meksikë. Një marrëveshje strategjike që vendos “Colchoneros” në një nga tregjet më të rëndësishme në Amerikë. Dhe kjo është konfirmuar në disa raste: “Përkushtimi ynë ndaj Atletiko San Luis është i padiskutueshëm” deklaroi Miguel Angel Gil, shefi ekzekutiv i Atletikos së Madridit.