Më në fund ka lajme të mira për pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në këtë impiant sportiv ka nisur puna për vendosjen e sistemit të kondicionimit të ajrit në të gjithë ambientin e pallatit. Një lajm që padyshim ka gëzuar pa masë sportistë e trajnerë të cilët stërviten çdo ditë aty dhe njëkohësisht zhvillojnë edhe aktivitete sportive të kalendarit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në fakt situata në këtë pallat sporti ka qenë e papranueshme. Në muajt e dimrit, temperaturat e ulëta e bënin të papërshtatshëm qëndrimin e spektatorëve gjatë ndeshjeve e për më tepër duke ndikuar edhe në performancën direkte të sportistëve në fushën e lojës. Nga ana tjetër nga muaji maji e deri në shtator, problem i madh ishin temperaturat e larta.

Por prej pak ditësh aty ka nisur puna në shumë drejtime, pikërisht për ta bërë gati pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të mirëpritur ndeshjet e Kampionatit Europian të Basketbollit U16 që do të zhvillohen në Shkodër, ku po kryhen punime për të garantuar kushte optimale për të gjithë sportistët pjesëmarrës.

Punonjësit e Drejtorisë së Menaxhimit të Objekteve Publike po punojnë intensivisht për përmirësimin e elementeve kyçe sportive, parketi i fushës së lojës, rinovimi i dhomave të zhveshjes dhe po vihet në funksion sistemi i kondicionimit të ajrit në të gjithë ambientin e pallatit.

Përveç këtyre, do të bëhet rishikimi i ndriçimit sportiv dhe sinjalistikës brenda sallës, për të garantuar standardet që kërkon një aktivitet i nivelit europian.