Alsid Tafili, ish-futbollisti i Vllaznisë, për “Panorama Sport” ka analizuar së fundmi situatën te kuqeblutë. Ish-mesfushori është ndalur te përgatitjet e verës që po zhvillojnë shkodranët.

Po ashtu ndalon te trajneri Martini dhe stili që po kërkon të “imponojë” te skuadra. Shkodrani komenton edhe përballjen e “Conference League” ndaj Daugavpils, teksa tashmë në rolin e menaxherit tregon edhe përforcimet që duhet të bëjë klubi në merkato.

Tafili, si i keni parë këto javë të para përgatitore verore në radhët e Vllaznisë?

Përgatitjet verore duket se po shkojnë mirë deri në këto momente. Skuadra tashmë po zhvillon fazën përgatitore në Slloveni, në kushte shumë optimale dhe besoj se kjo ndihmon shumë për ecurinë dhe të ardhmen. Po ashtu, ndeshjet miqësore mbajnë në tonus skuadrën, teksa shumë pozitiv është fakti që ekipi nuk po vuan nga asnjë dëmtim.

Sipas jush, janë shqetësuese rezultatet e miqësoreve apo jo?

Nuk mendoj se rezultatet e miqësoreve janë shqetësuese. Kjo, sepse ekipi po prodhon lojë dhe në të gjitha miqësoret ka krijuar shumë raste. Po ashtu ka pasur një rrotacion të gjerë, duke u provuar të gjithë dhe kjo është diçka shumë pozitive. Loja po fillon të stabilizohet dhe ekipi po përshtatet dalëngadalë me idetë e trajnerit dhe filozofinë e tij, sepse edhe koha nuk ka qenë aq e madhe sa çdo gjë të ishte perfekte që në këto momente.

Kur mund të kemi një mendim të plotë për skuadrën bazuar në eksperiencën tuaj?

Ekipi besoj se do të jetë gati para ndeshjes me ekipin letonez në “Conference League”. Duke parë që trajneri gjatë kësaj kohe po kërkon të transmetojë idetë e tij dhe të ndërtojë një skuadër të fortë. Besoj se do të jetë më e lehtë, sepse ka gjetur një ekip që luan prej disa vitesh së bashku dhe është i konsoliduar.

Çfarë mund të sjellë të re trajneri Martini te kuqeblutë?

Trajneri Martini e di që Vllaznia duhet të jetë më agresive dhe luftarake. Të jetë ekipi që vrapon më shumë në fushën e lojës dhe gjithë këto do të sjellin një skuadër që do të krijojë shumë dhe do të dijë të jetë ofensive. Ashtu siç i ka hije realisht një skuadre si Vllaznia.

Është Vllaznia e përshtatshme për idetë e tija?

Normalisht që idetë e trajnerit dhe filozofia e klubit duhet të jenë në të njëjtën linjë. Martini është një trajner me një eksperiencë shumëvjeçare në futbollin tonë, pastaj është nga Shkodra dhe e di çfarë kërkohet aty. E di çfarë kërkojnë tifozët dhe çfarë duhet të bëjë ekipi në fushën e lojës. Prandaj, them se do të bëjë maksimumin që ai dhe Vllaznia të kenë sukses së bashku.

Si një menaxher tashmë, ku e shikoni të nevojshme ndërhyrjen në merkato të skuadrës?

Të them të drejtën, ndoshta duhej të kishte edhe ndonjë largim tjetër e të kishte 2-3 afrime të tjera cilësore. Ashtu siç e ka theksuar edhe trajneri në daljet e tij mediatike, skuadra pret edhe 2-3 përforcime të tjera cilësore.

Ndonjë lojtar që do të sugjeronit?

Do të ishte konflikt interesi (qesh). Besoj se drejtuesit dhe stafi teknik e di mjaft mirë se ku duhen ndërhyrjet. Prandaj, nuk ka pse të them emra të përveçëm për ndonjë futbollist.

Në fund, duhet të jetë një “detyrim” kualifikimi në turin e parë kundër Duagvpils të Letonisë?

Patjetër, Vllaznia duhet ta shikojë këtë duel si “detyrim” për të kaluar më tej. Kjo për të kapur turin e dytë, që do të sillte përfitime financiare për klubin, por edhe përfitime sportive për futbollistët që do të ishin më në vëmendje të skuadrave të huaja për ndonjë transferim të mundshëm jashtë vendit.