Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka vendosur ta zhvillojë fazën përgatitore në Maribor të Sllovenisë. “Shkodra Sport” mëson se kuqeblutë do të lënë Shkodrën ditën e dielë, për të udhëtuar drejt Mariborit, aty ku Vllaznia do të qëndrojë për 12 ditë.
Gjatë kësaj kohe janë programuar edhe katër takime miqësore, teksa në fakt kjo është hera e parë që Vllaznia zhvendoset në Maribor. Në klubin kuqeblu kishin si opsion edhe fazën përgatitore në Bullgari, por zgjedhja e Mariborit u vendos përfundimisht në ditët e fundit.
Kjo periudhë përgatitore pritet të shërbejë për ngarkesat fizike, por edhe për ndërtimin e harmonisë mes futbollistëve, sidomos pas afrimeve të fundit. Stafi teknik, nën drejtimin e trajnerit Edi Martini, ka përgatitur një plan intensiv stërvitor.
Për Vllazninë, kjo është një periudhë shumë e rëndësishme, pasi synimi është që ekipi të jetë sa më gati fizikisht dhe taktikisht për ndeshjen e parë europiane, që do të zhvillohet në mes të korrikut. Klubi pritet të bëjë të ditur edhe listën zyrtare të futbollistëve për Europën, ku nuk përjashtohen surprizat.(www.shkodrasport.com)