Rrëmujë e vërtetë tek Flamurtari. Çdo ditë dalin në media emra të ndryshëm kandidatësh për trajner të ri, por nga ana tjetër ka edhe largime lojtarësh të cilat në fakt ende nuk dihet se kush po i bën.

Kështu nga sot, Sodiq Atanda nuk është më pjesë e ekipit të Flamurtarit. Mbrojtësi nigerian ka vendosur të largohet nga vlonjtatët vetëm pas 1 viti aventurë me ta, në Kategorinë e Parë.

Tashmë, pas ngjitjes në Superiore është vetë futbollisti që ka njoftuar largimin.

“Që nga sot nuk jam më lojtar i Flamurtarit. Falënderoj presidentin, stafin, shokët e ekipit dhe tifozët e mrekullueshëm. Ju uroj gjithë të mirat”, shkruan Atanda në rrjetet sociale.

Kujtojmë se Atanda ka një karrierë të pasur në futbollin shqiptar. Para se të transferohej te Flamurtari, nigeriani 31-vjeçar ka luajture për Erzenin, Egnatian, Partizanin dhe Apoloninë.