Mbrojtja e titullit kampion fillon nga “Elbasan Arena” për Egnatian. Të dielën kampionët e Shqipërisë përballen me Dinamon për javën e parë të kampionatit.

Rrogozhinasit vijnë këtë sezon me ndryshime në grupin e lojtarëve, pas largimit të disa titullarëve me peshë, siç janë Sherri, Fernando e Ibrahimoglu, megjithatë trajneri Edlir Tetova beson për një start të mbarë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai vlerëson kundërshtarin e javës së parë, ashtu si dhe garën e fortë që pritet këtë sezon. Trajneri durrsak sheh si rivalë në garën e titullit tri skuadrat e kryeqytetit, por edhe Vllazninë dhe Elbasanin.

Tetova, si është gjendja e skuadrës para ndeshjes së parë të kampionatit me Dinamon, ku ju nisni mbrojtjen e titullit?
Po, fillon maratona e gjatë dhe kemi përballë Dinamon, që nuk është më ekipi i vjetshëm. Me prurjet që ka bërë besoj se do të rivalizojë bindshëm deri në fund për vendet e para. Për skuadrën time do të thosha se kemi dy lëndime, Ahmetajn dhe Ndrecën, të cilët nuk duam t’i rrezikojmë për ndeshjen e javës së parë. Por grupi është gati dhe synojmë maksimumin.

Sa e vështirë do të jetë të mbroni titullin kampion të Superiores, i frikësoheni garës?
Nuk kemi frikë ta mbrojmë titullin, rivaliteti do të jetë me të gjithë ekipet, sepse luajmë 4 herë me çdo kundërshtar, përveç “Final 4”-it. Do të tentojmë të jemi dinjitozë, si gjithmonë.

Egnatia ka ndryshuar shumë në ekip, sidomos në sulm, pas largimit të disa lojtarëve. Sa ua vështirëson punën ky fakt?
Kemi pasur lëvizje që nga janari, çka ndikoi në kurbën e ekipit sezonin që shkoi. Mendoj që lojtarët që kanë ardhur, edhe pse nuk kanë shumë minuta në këmbë, do të përshtaten me ekipin gjatë javëve në vazhdim. Na duhet pak kohë dhe kjo u vu re dhe në ndeshjet që luajtëm në Europë. Kemi marrë Vuthajn, shpresoj që të jetë gati pas 2-3 javësh.

A jeni i kënaqur nga kontingjenti që keni aktualisht, apo prisni afrime të tjera?
Lojtarët janë, shpresojmë të mos kemi ndonjë dëmtim deri në fund të merkatos, sepse pastaj do të ndërhyjmë.

Rivali më i fortë për ju, cili ekip do të jetë?
Të tria skuadrat e kryeqytetit janë rivale, por edhe Vllaznia nuk mbetet pas, pasi ka ruajtur boshtin.

Luani edhe me Elbasanin këtë sezon, me të cilin keni kujtime të mira, apo jo?
Kam kaluar momente shumë të mira me këtë skuadër, jam shpallur për herë të parë kampion i Shqipërisë. Elbasani ka qenë një vend ku jam ndjerë mirë gjithmonë, kam fituar trofe dhe po ashtu kam përjetuar edhe eliminime. Por, siç e thashë, rivaliteti është i madh këtë herë në Superiore.