Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, analizoi barazimin 1-1 që skuadra e tij arriti në transfertë ndaj Teutës. Në prononcimin e dhënë menjëherë pas sfidës, tekniku kryeqytetas, deklaroi:
“Unë do i vendosja një paralele si në ndeshjen me Skënderbeun. Kemi probleme me sulmin, duhet ta mbajmë më shumë topin në administrim nga poshtë, për t’u spostuar në zona e kundërshtarit. Rastet krijohen, në rastet që kishim me Zabërgjën dhe Bregun kishim mundësi të dyfishonim rezultatin, por mund edhe të pësonim nga krahu tjetër. Ndërprerja mbas 2 javëve do të na japë mundësi të rregullojmë organizimin në fazën e sulmit, për të mos e humbur topin shpejt.
E kishim parë Teutën dhe e dinim ku ishin hapësirat që duhet të merrnim. Ndërrimi i zonave në lojë, mund të na krijonte përshtjellim. Lojtarët të mos bëjmë vetëm spostime, por të dinë edhe përgjegjësinë e rolit. Por do edhe kohën e vetë. Nuk kemi freskinë e duhur. Humbja e topit në fazën e sulmit na kushton shumë humbje energjish.
Kemi punuar në 2 varjante. Me aq forca sa vinte Teuta në presing, duhet të gjenim kooridoret e duhur dhe të krijonim superioritet në linjat e qendrës. Lojtarët e kanë më të zorshme për ta organizuar sulmin pa humbje të topave.
Ne duhet të funksionojmë të gjithë si grup. Ishte më shumë një bashkim. Goli ishte për të gjithë ekipin”, u shpreh Daja për emisionin “Super Gol” në RTSH Sport.