Sportistët shkodranë gjithmonë kanë qenë ndër më të mirët në Shqipëri dhe për rrjedhojë nuk u kanë munguar edhe vlerësimet e ndryshme që janë bërë në anketa apo çmime që janë dhënë.

Sot do të ndalemi tek Anketa e “5 sportistëve më të mirë të vitit 1966”, anketë kjo tradicionale e organizuar nga gazeta “Sporti Popullor” e që më vonë u shndërrua në “10 sportistët më të mirë të vitit”. Një gazetë e tillë na është mundësuar pikërisht nga i mirënjohuri Faruk Kalleshi.

Në anketën e 54 viteve më parë, fitues në fakt janë 6 sportistë ngaqë kemi dy vende të para për shkak të rezultateve të larta të arritura. Dhe ajo që të bën përshtypje, është se ndër 6 këto fituesit, 3 janë sportistë shkodranë dhe pikërisht Adile Dani që renditet e para, Faruk Kalleshi i dyti dhe Sabah Bizi i pesti. Të tjerët janë të mirënjohurit, qitësi Ismail Rama, basketbollisti Agim Fagu dhe volejbollisti Asllan Rusi.

Ja si i profilizonte gazeta “Sporti Popullor” tre sportistët shkodranë fitues të anketës së këtij viti:

1. Adile Dani

Mjeshtre sporti, atlete e Vllaznisë së Shkodrës. Gjatë vitit 1966 theu disa herë rekordin kombëtar në vrapimet 400 dhe 800 metra, duke fituar edhe tiullin e kampiones kombëtare. Veçanërisht një sukses të madh ajo korri në Krosin e 11-të Ballkanik që u zhvillua në Bullgari, duke kontribuar në rradhët e ekipit tonë përfaqësues të vajzave, të cilat zunë vendin e nderit.

2. Faruk Kalleshi

Ngritës peshash i KS Partizani. Në të gjitha garat kombëtare të vitit 1966 ka bërë një fihurë shumë të mirë sportive dhe ka gëzuar Atdheun e lëvizjen sportive me rezultate të larta, duke shënuar vazhdimisht rekorde të reja. është një nga sportistët që bëri “fora” duke thyer 12 rekorde kombëtare në peshën e tij dhe duke thyer edhe rekordin e GANEFO-s në stilin e ngritjes.

5. SABAH BIZI

Futbollist i Vllaznisë së Shkodrës. është dalluar në të gjitha ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit si futbollisti i ri e me të ardhme, duke luajtur kurdoherë në mënyrë shembullore e korrekte. është dalluar veçanërisht në ndeshjet e fundit ndërkombëtare me skuadrën rumune “UTA” të Aradit, duke dhënë një kontribut të madh për fitoren.
© shkodrasport.com