Bylisi i sezoneve të fundit është duke “gjurmuar” talented, e madje jo vetëm lojtarë që spikatin në vendin tonë por deri në Afrikë. Verën e shkuar ballshiotët afruan Eridon Qardakun, lojtarin më të spikatur te moshat e Vllaznisë U-19 por edhe më të dalluarin në garën e të rinjve profesionist në vend. Qardaku ka luajtur edhe në Superiore me Bylisin, ndërsa këto ditë është duke i kaluar pranë familjes së tij në Shkodër…Madje nga Ballshi shkoi edhe në Shpresa U-21.

Stërvitja

Në një prononcim për situatën, ai flet për këtë periudhë të vështirë me shpresën se do të kalojë shpejt, por edhe mënyrën se si ai stëvitet…“Jam në Shkodër pasi klubi na shpërndau sapo u dha urdhëri që nuk do të ketë më stërvitje kolektive. Tashmë presim kur do të fillojmë…Ndjek programin e klubit me një miksim ushtrimesh.

Bëj vrap dhe nga shtëpia ime shkoj deri në Kalanë “Rozafa” në hyrjen e qytetit mbi 10 kilometra në mënyrë që të ruaj forcën fizike. Por jo vetëm…Po, si jo edhe me top në terren veçmas me goditje standarte po ushtrime duke e sajuar vetë bazën didaktike njësoj si në stërvitje. Por edhe në shtëpi disa ushtrime force. Nuk e lëmë që të ikin ditët kot”.

Gara

I pyetur se sa gati mund të jetë ai dhe sportistët nisur edhe nga pushimet e gjata dhe mungesa e punës në grup, shkodrani i talentuar ka shtuar se: “Po ja kemi bërë hyzmetin. Normalisht mendoj se na duhen edhe dy javë apo diçka më tepër në grup sepse kjo ndërprerje ishte e papritur. Shpresojmë që të nisi, sepse kush ka vullnet e dëshirë e kap formën e vet.”

Pritshmëritë

“Po tani me Zotin para. Ishalla ta kalojmë këtë periudhë sa më shpejt e të rikthehet normaliteti, pastaj unë e kam të ardhmen para dhe besoj se duke punuar dhe me klubin që të jetë në nivele edhe unë do të jem më mirë në synimet personale që kam.”

Mesazhi

“Sa më shumë shëndet për famiojrn time, shkodranet shokët dhe miqtë te ekipi dhe qytetin e Ballshit ku ndihemi të respektuar me njerëz të qetë e të dashur…”,-tha në fund Eridon Qardaku, sulmuesi i ballshiotëve./Vipsport/