Vllaznia pëson një tjetër humbje dhe sërish me shumë gola edhe në ndeshjen e rradhës miqësore që po zhvillon në Slloveni gjatë fazës përgatitore. Pasditen e sotme ajo është mundur me rezultatin 2-5 nga rumunët e Arges Pitesti.
Kuqeblutë e Edi Martinit e kanë nisur ndeshjen me këtë formacion: Jukaj, Cetkoviç, Latifi, Gurishta, Bardhi, Ara, Qato, Dros, Murataj, Toma, Balaj. Në minutën e 20-të ata kanë kaluar në avantazh. Ka qenë një goditje dënimi e ekzekutuar nga Murataj dhe topi është grushtuar nga portieri rumun duke shkuar tek Qato që brenda zonës ka gjuajtur saktë duke e dërguar topin në rrjetë.
Ndërkohë në minutën e 29-të, kanë qenë futbollistët e Arges Pitesti që kanë barazuar me një gjuajtje nga jashtë zone dhe pjesa e parë u mbyll me shifrat e barabarta 1-1.
Në pjesën e dytë trajneri kuqeblu bëri shumë zëvendësime. Në minutën e 74-të kundërshtari kaloi në avantazh por tre minuta më vonë është Ensar Tafili që përfiton nga një gabim i portierit rumun dhe barazon shifrat në 2-2. Por vetëm kaq sepse Arges Pitesti do të shënonte tre gola njëri pas dhe kësisoj e gjithë ndeshja do të mbyllej me fitoren e saj me rezultatin 5-2.
Kjo është humbja e tretë për Vllazninë në miqësoret që po zhvillon në Slloveni. Të parën e humbi 0-4 ndaj Olimpia Ljubjaja, ndërsa të dytën e fituan 6-3 ndaj ekipit kroat NK Rudes, të tretën e humbën 2-4 ndaj sllovenëve të FC Koper dhe sot 2-5 ndaj Arges Pitesti.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


