Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia duhet të ndryshojë për vitin e ardhshëm dhe për këtë janë të bindur edhe drejtuesit. Kuqeblutë, përpara kanë Evropën, aty ku synimi është për të mos shkuar thjesht si kalimatarë, por për të fituar ndeshje dhe për të sjellur të ardhura financiare. Për të arritur fillimisht këtë dhe më pas për të shkuar te titulli kampion, është e qartë se kërkohen ndryshime.

Tashmë, në klubin kuqeblu ka nisur puna për sezonin e ri. Nga sa bëhet me dije, pritet që trajneri Martini të angazhohet në sjelljen e emrave të duhur dhe do të jetë po ai që do të japë vendimin final. Po ashtu, do të jetë Martini ai që do të vendosë nëse futbollistë të caktuar që janë në skuadër, duhet të qëndrojnë apo do të jetë e kundërta.

Edhe sa u përket afrimeve, Martini do të shikojë me vëmendje çdo sugjerim të drejtuesve dhe do të jetë ai që do të japë vendimin final nëse një futbollist do të afrohet apo jo.

Me pak fjalë, “arkitekti” i këtij projekti është vendosur trajneri Edi Martini, që do të thotë fjalën e fundit sa i përket organikës dhe më pas do të mbajë përgjegjësitë e tij sa i përket asaj që ndodh në fushën e blertë gjatë sezonit.(www.shkodrasport.com)