Nga Endri ÇINARI

Vllaznia do jetë vizitore këtë të shtunë ndaj Laçit. Shkodranët mbyllin fazën e parë të sezonit 2024-25 me duelin ndaj kurbinasve. Një duel që nuk parashikohet aspak i lehtë për të besuarit e Brdariç. Pavarësisht se kurbinasit ndodhen në vendin e fundit të renditjes me 3 pikë pas 8 ndeshjesh. Sërish ata ngelin një kundërshtar i fortë për tu kaluar nga çdo skuadër.

Po ashtu ndryshimi i trajnerit në pankinën laçiane pritet të ketë ndikimin e tij, të paktën në motivimin e futbollistëve. Por pavarësisht se janë në vendin e fundit këtë edicion, bardhezinjtë kanë 6 ndeshje që nuk humbasin në Superiore kundër Vllaznisë. Duke nisur nga përballjet e sezonit të shkuar ku duelet mes shkodranëve dhe laçianëve folën në favor të kurbinasve.

Me dy barazime 1-1 në Laç dhe 0-0 në Shkodër e po ashtu dy fitore respektivisht 2-1 dhe 1-2 të bardhezinjëve. Po ashtu në sezonin 2022-23, dueli i fazës së tretë përfundonte me fitoren 2-0 të Laçit e ndërsa në atë të fazës së fundit, skuadrat ndaheshin në paqe pas barazimit 1-1. Fitorja e fundit e Vllaznisë daton më 21.01.2023, në fazën e dytë të sezonit 2022-23.

Shkodranët triumfonin në shifrat 4-1 kundër Laçit në “Loro Boriçi”. Autorët e golave do ishin A.Hoxhaj që do realizonte një dopietë Juriç dhe Jonuzi për shkodranët. Ndërsa më parë për laçianët kishte shkurtuar momentalisht shifrat në 2-1 , Shkurtaj. Ky është edhe suksesi i fundit i kuqebluve ndaj Laçit në kampionat, ndaj të cilëve nuk fitojnë prej 6 ndeshjesh rradhazi./www.shkodrasport.com/