Nga Maringlen ZHIVANI

Ekipi i Elbasanit ka nisur punën për ndërtimin e skuadrës së edicionit të ardhshëm. Drejtuesit po mendojnë për ata që do të afrojnë në merkato, por njëkohësisht edhe për futbollistët që do të largojnë. Ata që rrezikojnë më shumë janë pikërisht ata që janë në skadencë kontrate, që duket shumë e vështirë për t’iu ofruar një rinovim edhe për sezonin e ardhshëm.

Fjala është pikërisht edhe tre futbollistë shkodranë, të cilët janë Edon Hasani, Esin Hakaj dhe Amarildo Gjoni, që në qershor dalin lojtarë të lirë. Në fakt, kjo treshe nuk ka pasur edhe shumë minuta në dispozicion. Sa i takon Edon Hasanit, ai iu bashkua verdhebluve vitin e kaluar në Kategorinë e Parë, duke i dhënë një ndihmë për ngjitjen në Superiore.

Atë e ndoqi fati i keq në elitë, sepse dëmtimet e lane shumë javë jashtë fushës së blertë. Hasani ka luajtur në 14-ndeshje me 848-minuta në këmbët e tij, por pa e gjetur dot asnjëherë rrugën e rrjetës. Ndërkohë, Esin Hakaj u afrua si një futbollist me eksperiencë të madhe mbi supe, por u privua jo pak nga dëmtimet, duke mos arritur dot formën maksimale dhe duke qëndruar shumë ndeshje jashtë fushe.

Ai numëron 19-takime me verdheblutë dhe 1461-minuta. Edhe ai nuk arriti dot të shënojë asnjë gol për elbasanit. Ndërkohë, sulmuesi nga Malësia e Madhe, Amarildo Gjoni u afrua në merkaton e verës si një futbollist që do t’i jepte një ndihmë ekipit në fazën e sulmit.

Gjoni pati minutat e tij në dispozicion, por arriti të shënojë vetëm një gol, pikërisht në javën e parafundit, ku barazuan me Vllazninë me rezultatin 1-1. Gjoni u aktivizua në 30-takime me 833-minuta në këmbët e tij, ku në disa ndeshje mungoi edhe për shkak të një dëmtimi.(www.shkodrasport.com)