Pas fitores 2-1 të shtunën në stadiumin “Elbasan Arena” me Vllazninë, në kampin blu ka ardhur një lajm jo i mirë.
Mbrojtësi dhe njekohesisht kapiteni i kesaj skuadre Rustem Hoxha u dëmtua në fundin e asaj ndeshjeje dhe duhet të qëndrojë disa javë jashtë fushave, pasi ka thyer gishtin e njërës këmbë. Durrsaku u pa të ecte me vështirësi, teksa ekipi po festonte.
Pas ekos që lojtari ka kryer, ka rezultuar thyerje e gishtit, që do të thotë se duhen disa javë për rikuperimin. Hoxha, kapiten ndaj Vllaznisë, ka qenë titullar deri tani në dyshen e qendrës së mbrojtjes, bashkë me kroatin Muzek.
Që nga ndeshja e radhës me Laçin trajneri Ilir Daja duhet të gjejë zëvendësuesin e Hoxhës, duke zgjedhur njërin mes Rufatit dhe Miços. Të dy këta lojtarë erdhën te Dinamo në fund të merkatos dhe ende nuk kanë debutuar.