Nga Endri ÇINARI

Basania arriti të marrë pikën e parë historike ditën e djeshme në Kategorinë e Dytë. Skuadra nga Bushati arriti një barazim në shifrat spektakolare kundër Luzit 2008, ku këta të fundit janë ndër pretendentët kryesorë të këtij sezoni për tu ngjitur në Kategorinë e Parë.

Për “Shkodra Sport” rreth kësaj ndeshjeje ka folur Brilant Hasaj. Sulmuesi i cili shënoi dy gola, njërin prej tyre në limite shprehet disi i zhgënjyer për këtë rezultat. Por patjetër vlerëson kundërshtarin dhe ekipin e tij për lojën e zhvilluar.

Hasaj tha:” Patjetër që jam i gëzuar për golat pasi ishin të parët e mij këtë sezon. Dhe kur vijnë me Basanian që ka bërë debutimin e saj historik në Kategorinë e Dytë marrin një vlerë edhe më të veçantë.

Ndeshja? Mund të them se ndoshta jemi pak të “zhgënjyer” për barazimin, por nga mënyra se si erdhi në fund mund të quhet edhe një pikë e fituar. Pse e them këtë? Sepse ne ishim dy herë në avantazh dhe duhej ta mexhanonim më mirë ndeshjen pasi kishim mundësi edhe për ta thelluar rezultatin. Megjithatë duhet vlerësuar edhe Luzi që është një ekip serioz dhe ndoshta një ndër ekipet më të forta këtë sezon.

Javët e ardhshme? Ne do i marrim ndeshjet me rradhë, duam të bëjmë sa më mirë nga java në javë. Besoj se skuadra po rritet dhe po ashtu besoj se i kemi cilësitë për të bërë më mirë. Këtu ka lojtarë që kanë luajtur në Superiore apo edhe më shumë se 70-80% e skuadrës në Kategorinë e Parë. Pra e them me bindje se kjo skuadër mund të bëjë shumë më mirë në javët e ardhshme”./www.shkodrasport.com/