Vllaznia dhe Tefik Osmani kanë ndarë rrugët sot, pas finales së humbur me Egnatian. Kontrata e drejtorit sportiv përfundonte me mbarimin e sezonit, dhe palët nuk vazhduan bashkëpunimin.
Osmani u afrua te kuqeblutë në nëntorin e vitit 2023. Kuqeblutë mbyllën dy sezone në Final Four, një si vend i katërt dhe i dyti në statusin e nënkampionit. 39-vjeçari ka postuar në rrjetet sociale pas largimit nga kuqeblutë:
“Sot kam një falenderim të veçantë për tifozët e mrekullueshëm shkodranë, për lojtarët e ekipit, në veçanti Bekim Balajn, kapitenin që së bashku i shkuam aq pranë titullit. Stafin teknik që kam punuar, në veçanti Vioresin Sinani.
Falenderoj presidentin që më besoi këtë detyrë në një kohë të vështirë për Vllazninë që me përkushtim të gjithë së bashku e nxorëm nga lufta për mbijetesë në luftën për titull në Final Four. Kontratës sonë i erdhi fundi dhe falenderoj qytetin e Shkodrës për mikpritjen. Falenderim të veçantë edhe për Ardit Krajën që çdo çast i ka qëndruar pranë ekipit”, shkruan Osmani.