Nga Maringlen ZHIVANI
Të bësh futboll në Shqipëri, është gjithnjë një mision i vështirë. Ndoshta mund të kesh para për disa vite, por gjithnjë në vendin tonë ka qenë e vështirë që një klub të ndërtojë strukturën e duhur. Nëse ndalemi te Vllaznia, klubi kuqeblu në çdo merkato ka qenë si një autobus që ndalet në stacion dhe hyjnë e dalin nga më shumë se 20-vetë.
“Shkodra Sport” ka bërë një vëzhgim për pesë sezonet e fundit, që nga marrja e menaxhimit të presidentit Alban Xhaferi, sa u përket gjithë lëvizjeve të bëra me trajnerët. Bilanci tregon për një ekip pa stabilitet dhe pa projekte afatgjata. As ky edicion nuk u mbyll në mënyrën më të mirë, ç’ka bën që në plan të jetë sërish një revolucion i zakonshëm, siç pothuajse ka ndodhur në çdo vit.
Lëvizjet kaq të mëdha të futbollistëve kanë shkuar paralel edhe me ato të trajnerëve. Vllaznia asnjëherë nuk i ka besuar një trajneri për të ndërtuar një cikël të ngjashëm si me Shehin te Tirana apo me Tetovën aktualisht tek Egnatia. Në pamje të parë, ky është vetëm një detaj apo statistikë, por në të vërtetë është një nga shkaqet kryesore pse Vllaznia nuk ka arritur dot të qëndrojë në fron gjatë kohës kur ka korrur sukses.
Shumë herë, projekti është ndarë në mes. Në disa raste problemet kanë ardhur edhe nga jashtë fushës, në marrëdhënien drejtor-trajner apo president-trajner. Në pesë vite si president i Vllaznisë, Xhaferi ka ndërruar trajnerin nëntë herë, me një mesatare prej dy trajnerësh në sezon. Në fakt, kjo gjë është jo e përshtatshme për një klub me pretendime gjithnjë madhore.(www.shkodrasport.com)