Pas fitores ndaj Egnatias, Vllaznia udhëton drejt Durrësit për t’u ndeshur me Teutën vendase për javën e pestë të kampionatit shqiptar të futbollit.
Në konferencën për shtyp, trajneri i kuqebluve, Thomas Brdariç, tha se ekipi i tij duhet të bëjë të njëjtën paraqitje si ndaj Egnatias, ndërsa shtoi se fokusi është që në çdo ndeshje Vllaznia të marrë pikët maksimale.
“Me Teutën na pret një sfidë e madhe. Kryesorja është të mbajmë të njëjtën performancë që patëm me Egnatian. Ky është objektivi ynë kryesor. Normalisht, atmosfera është e mirë dhe do të na ndihmojë të përgatitemi edhe për ndeshjet në vijim, por gjëja kryesore është që të marrim pikë për çdo ndeshje. Duhem të jemi të përgatitur për çdo ndeshje dhe të japim maksimumin.”
Brdariç kishte një koment edhe për trajnerin shkodran të Teutës, Edi Martini.
“Mesazh për Edi Martinin? Ai më pëlqen si person. E kam parë edhe si futbollist. Me zor po pres ta takoj. E di që ai e do shumë Vllazninë. Ai është shumë i aftë në drejtimin e Teutës dhe me të vërtetë, me zor po pres ta takoj dhe të përballem me të.”
Brdariç foli edhe për rikthimin e mesfushorit Amir Kahrimanoviç, i cili vjen nga dëmtimi.
“Lajmi i mirë është që Kahrimanoviç është rikthyer, por nuk do të jetë në planet tona për momentin për ndeshjen me Teutën. Megjithatë, ne do mundohemi ta përgatisim për ndeshjet që kemi në vazhdim. Objektivi ynë kryesor është të mbajmë të njëjtën performancë të mirë me të njëjtin grup.”
Sfida Teuta-Vllaznia do të luhet të dielën në orën 19:00 në stadiumin “Niko Dovana”.
Maringlen ZHIVANI