Edlir Tetova ka folur para ndeshjes që Egnatia do të luajë me Vllazninë. Kampionët e Shqipërisë duan titullin e tretë radhazi në vend dhe trajneri i tregoi hapur ambiciet. Më tej foli edhe për eliminimin e hidhur me Olimpija Ljubjanën, si dhe largimi i papritur i Regi Lushkjas.
Si e prisni transfertën?
Pas një sezoni dhe pjesëmarrjen në Europë, zhvillojmë ndeshje aty ku e lamë sepse ishim në finale me Vllazninë. Rifillon sezoni i ri me Vllazninë. Objektivat janë të qartë, do shkojmë për të mbrojtur titullin. Mendoj që do jetë ndeshje shumë e bukur, siç ka dhuruar këto kohët e fundit një supersfidë si Vllaznia-Egnatia. Dhe shpresoj për më të mirën.
Me çfarë synimesh është Egnatia?
Egnatia i ka synimet e qarta, do të mbrojë titullin, por megjithatë në vazhdim do shikojmë.
A keni rikuperuar fizikisht, çfarë mësimesh morët nga Europa?
Fizikisht skuadra është “ok”. Mungesa nuk ka, përveç largimeve. U uroj suksese. Nga eksperienca e Europës kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer, heqim vetëm ndeshjen e Champions. Nuk ka qenë në dorën tonë. Ka pasur ndikim, dorë tjetër, nuk e di pse. Megjithatë, nuk duhet të ndikojë në kampionat dhe në anën psikologjike të lojtarëve.
A jeni në parametrat e duhur fizikë. A arrit të realizonit çfarë kishit planifikuar?
Po, edhe unë si trajner mendoj kemi arritur te objektivat që donim. E mira nuk ka fund, do kërkonim më tepër. Por këto janë gjëra që ne do t’i shikojmë pastaj nëse do kemi mundësi për vitin e ardhshëm.
Si do ndikojnë lëvizjet e merkatos?
Kemi pasur lëvizje, grupi ka qenë me lojtarë dhe ashtu e kishim përgatitur organikën për këtë vit. Kemi pasur largime, por lojtarët i kemi kontingjent në skuadër. Megjithatë në ditët në vijim do të shohim.
Cila është gjendja e ekipit?
Mendoj që lojtarët janë gati, dëmtime nuk ka, skuadra është e plotë.
Si e shikoni grupin?
Sigurisht që ka lëvizje. Tani është bërë pjesë e jona sepse gjatë këtyre 3 viteve që jam në drejtim, kemi pasur lëvizje të lojtarëve dhe i kemi plotësuar. Asgjë nuk është risi te kjo pjesë. Thjesht ne si staf me lojtarët duhet të marrim marshin e duhur për të konsoliduar skuadrën.
Çfarë prisni nga ndeshja me Vllazninë?
Kjo supersfidë ka dhuruar ndeshje të bukura. Shpresoj të jetë e tillë dhe nesër.
Si do e zëvendësoni Lushkjen?
Nuk mendoj se e humbëm Lushkjen. Po t’i referohemi disa ditë para, deklarova që nuk do të ikte. Do ta kishim humbur nëse do të ishte në një transferim tjetër. Shumë pak do flas për këtë sepse nuk më takon mua. Në këtë zgjidhje që u bë në këto ditë, mendoj ka ikur në një nga klubet më të mira si Traktori. Çdo gjë është bërë mirë si për klubin dhe për Lushkjan.