Ndërkohë që pak orë më parë klubi “Skënderbeu” konfirmoi emrin e parë të larguar zyrtarisht nga bardhekuqtë dhe ishte Erolind Krasniqi, në këto momente është sërish portali “Korça Boom” që zbulon të larguarin e radhës. Bëhet fjalë për Henrik Nerguti, mesfushorin që erdhi në ditët e fundit të merkatos verore vitin e kaluar madje me shumë bujë dhe tashmë nuk do të jetë më pjesë e bardhekuqve.

Nerguti është larguar duke prishur kontratën me Skënderbeun dhe rrugët me Skënderbeun janë ndarë njëherë e mirë. Henrik Nerguti kujtojmë që është aktivizuar 229 minuta në total me Skënderbeun dhe nuk ka lënë asnjë gjurmë me skuadrën që mendoi se do të shkëlqente.

Ka qenë Ernest Gjoka që i ka paraqitur një listë me lojtarët që nuk i bëjnë punë në vazhdim Skënderbeut dhe në këtë listë ishte edhe emri i Nergutit, lojtar që tashmë është larguar nga Skënderbeu.

Në këtë mënyrë po konfirmohet fakti që janë jo pak, por 7 futbollistë që do të largohen në total nga Skënderbeu në këtë merkato dimërore dhe kjo vjen pas prezantimit aspak të mirë të skuadrës në 19 javët e luajtura, pasi Skënderbeu ndodhet në vendin e fundit.

Henrik Nerguti që largohet në këto momente dhe Erolind Krasniqi i vemti i zyrtarizuar janë dy emra të larguar tashmë, por kujtojmë që nga Skënderbeu është larguar edhe Etienne Tare, sulmuesi dhe djali i Igli Tares që thuhet se do të luajë në Kosovë. Nga Skënderbeu i larguar është edhe Tayo, sulmuesi që nuk la asnjë gjurmë, por që pavarësisht se Tayo ndodhet me skuadrën duke u stërvitur, mësohet se do të largohet në momentin që Skënderbeu t’i gjejë një klub tjetër, pasi marrëveshja për largimin e tij tashmë është arritur.

Nuk janë të fundit këta emra që largohen nga Skënderbeu, pasi listës së largimeve pritet t’i shtohen edhe emra të tjerë. Por largimet e tanishme do të lidhen me afrimet në skuadër, ku sapo të afrohen lojtarët që do të mbushin ekipin në merkaton dimërore, do të ketë edhe largime.