Juventusi po negocion me PSG-në për të mbajtur sulmuesin Kolo Muani dhe po vëzhgon edhe mundësitë për transferimin e futbollistëve si Osimhen, Dejvid dhe Gyokeres.
Megjithatë, para se të finalizojë ndonjë goditje të madhe për sulmuesin e së ardhmes, skuadra bardhezi duhet të zgjidhë situatën e Dushan Vlahoviçit, i cili ndodhet në vitin e fundit të kontratës dhe aktualisht po bllokon zhvillimet në merkato.
Sipas “Tuttosport”, ofertat për sulmuesin serb nuk mungojnë, përfshirë propozime të majme nga klube arabe dhe Fenerbahçe e Murinjos, që i garanton një pagë prej 12 milionë eurosh në sezon. Por, Vlahoviç nuk është i interesuar për këto destinacione, duke preferuar të qëndrojë në kampionatet kryesore europiane. Kjo ka hapur mundësinë e një transferimi te Milani i Masimiliano Alegrit, i cili po kërkon një sulmues për të përforcuar ekipin.
Deri tani nuk ka ardhur ndonjë ofertë konkrete as nga Premier Liga, ndaj “Tuttosport” raporton se Vlahoviç është i tërhequr nga ideja e të luajturit për Milanin, jo vetëm për projektin sportiv, por edhe për mundësinë e ribashkimit me trajnerin Alegri. Gjatë periudhës së tij te Juventusi, sulmuesi ka shënuar mbi 40 gola në dy e gjysmë vite nën drejtimin e tij. Megjithatë, rruga drejt Milanos ka pengesa të mëdha, kryesisht për shkak të pagës së lartë të Vlahoviçit, e cila arrin 12 milionë euro në sezon.
Milani nuk është i gatshëm të hyjë në negociata me kërkesa kaq të larta, por nëse përfaqësuesit e lojtarit pranojnë një kontratë më të gjatë me një pagë rreth 7 milionë euro në sezon, atëherë bisedimet mund të fillojnë. Sa i përket çmimit të kartonit, marrëveshja midis Juventusit dhe Milanit duket e mundshme, pasi bardhezinjtë kërkojnë rreth 25 milionë euro, ndërsa kuqezinjtë janë të gatshëm të paguajnë një shumë pranë 20 milionë eurove, edhe pse kontrata e lojtarit skadon brenda një viti.
Pra, transferimi i Vlahoviçit te Milani mund të realizohet, por vetëm nëse plotësohen kushtet financiare të duhura nga të gjitha palët. Situata mbetet në lëvizje, ndërsa merkatoja po shfaqet si një skenë e nxehtë për sulmuesin serb.