Opinion nga Senad NIKSHIQI
“Këmbanat bien për ata që kanë veshë” e “thikë pas shpine”. Këta janë dy prej titujve të artikujve në kohën kur familja Fushaj edhe pas ultimatumeve edhe pas mbledhjes familjare shumëorëshe nuk mori asnjë përgjigje nga Bashkia Shkodër duke i bërë të dorëzohen nga drejtimi i Vllaznisë pas 8-9 vitesh. Në fakt veshët i patën por nuk dëgjuan. Duke e menduar si një tjetër mundësi për “zhvatje” e “mbushje xhepash” ndoshta, Bashkia Shkodër “gjoks-hapur” e “sypatrembur” hipi mbi Vllazninë pa ditur të kalerojë.
Valter Fushaj në fakt nuk kërkoi më shumë se 200 milionë ndihmë nga Bashkia pas atij eleminimi në Kupat e Europës që edhe sot nuk e ka humbur tragjizmën e saj. Nuk ia dhanë. “Pësh-pëshet” në veshët e Lorenc Lukës e gënjenin duke i thënë se duhet të “minojnë” padronët Fushaj sepse kanë një mundësi të mirë për të vjamosur edhe më shumë pasuritë e gjithsecilit që do merrej me Vllazninë. Shpejt e shpejt në verën e nxehtë i bënë shqiptarshe punët e dolën bombastikisht në opinion me të ashtëquajturën “shoqëri aksionere”. Si për fillim i dhanë udhën disa prej më të mirëvë në ekip duke e zhveshur Vllaznninë e duke e lënë të vobektë. Aksioni “Bashki” nisi me zdrypjen e Mirel Josës sytë e të cilit nuk do i harroj asnjëherë e po ashtu edhe fjalët e tij të fundit para marrjes së lajmit për shkarkimin e tij në atë takim të rastësisshëm përgjatë trotuarit para asaj ndërtese ku shkarkimi i tij ishte gatuar tashmë.
Kështu nisi era e re. Ushtarët e Këshillit Bashkiak nuk bënin gjë tjetër vetëm ngrinin dorën duke miratuar herë pas here miliona e miliona lekë gjoja për një Vllazni ndryshe. Zërin e pakicës si Erogen Vaso, dashamirësi Nikë Kodra apo ndonjë tjetër as nuk vihej në liste, madje kafeve pas mbledhjeve, “barkiçët” qeshnin e bënin batuta. Gjithnjë para ekraneve e në faqet e para të gazetave herë vetë Luka e herë vartësi i tij Troshani, ndonjëherë kishte hapësire edhe për Shabën flisnin me siguri se tashmë Vllaznia është në duar të sigurta, që sikur kishte shpëtuar nga një sëmundje vdekjeprurëse e që tifozët e dashamirësit e saj duhej të bëheshin gati për një vit triumfues, për një Vllazni kampione. Kjo demagogji e provuar edhe në fushatat elektorale apo edhe shumë premtime pas saj të pambajtura e shprehur me vendosmëri për një çast rrëmbeu mendjet e njerëzve. U sollën në ekip ca “pleqë” e ca futbollistë skarco që sot endennë zyrat e Federatave duke paditur Vllazninë e të tjerë që në atë gjumë letargjik nuk ia ndjen sepse milionat i kanë në xhep çdo muaj.
Që atëherë e deri tani, janë miratuar e janë harxhuar ndoshta edhe miliarda para por Vllaznia është si mos më keq. Vërtitet si një kalë që ende nuk e ka dhënë grahmën e fundit duke zhgënjyer sa herë zbret në fushën e lojës. E ta mendosh që familja Fushaj nuk kërkoi më shumë se 200 milionë si ndihmë nga Bashkia nuk mbetet gjë tjetër veçse qyqet t’ia marrin vajit, sepse veç këtë himn meriton Vllaznia e ditëve të sotme. Një Këshill trajnerësh që më parë shpërbëhet se sa nis të punojë, një akademi që edhe me erën e ndryshimeve “bastardhizohet” duke e humbur atë seriozitetin që Valter Fushaj i dha që në ditën e parë kur e ndërtoi megjithë problematikën që nga viti në vit u zvogëlua por sot shtetarët tanë ia humbën fillin. Megjithë tekat deri diku të tepruara të Rudi Vatës, trajnerit nga i cili u prit shumë disa “palolallëqe” brenda për brenda sa tragjik aq edhe gazmor e kthyen çështjen “Vllaznia”. Timonin ia lëshuan Shpëtim Duros që megjithë 12 a 13 blerjet që ai nuk i quan të tijat por si të vetmet mundësi në ato momente, zhytën edhe më tepër në batakun e saj që kishte nisur ta shoqëronte Vllazninë që me ditët përvëluese të asaj vere të 2011-ës.
Kjo sagë, që nuk po ia dimë fundit vazhdon historinë e saj edhe sot pas një viti e gjysëm. “Ushtarët” e bindur me hir e pa hir të Lukës në Këshillin Bashkiak sa herë që mblidhen me e pa të drejtë morale por ndoshta hollë hollë edhe ligji shtyjnë si për qejfin e tyre kalimin e Vllaznisë në duart e biznesmenëve. Në fakt janë shfaqur ca të vjetër si Agron Cela bashkë me 4 miqtë e tij të biznesit që duke e patur një përvojë më parë nuk “e hanë” më “tekun” e Bashkisë. Nëse e marrin, e marrin siç ata duan dhe ashtu siç duhet e jo siç Bashkia dëshiron duke vënë kusht kryesorë interesat e saj të ngushta. Krijojnë barriera, peripeci e burokracira duke u kapur gjoja pas ligjit vetëm për ta vështirësuar situatëne për të thënë pastaj: ” ja, ne deshëm ta lëshojmë Vllazninë por ata s’e morën”. Nuk kanë se si ta marrin ata kur mbledhja shtyhet deri pas javës së parë të janarit edhe kur indiferenti më i madh i botës së futbollit e di që merkatoja nis pikërisht atëherë për përforcimin e çdo ekipi.
Një lëmsh i përzier që duket se nuk do të ketë ndonjë zgjidhje në favor të Vllaznisë për të rikthyer sërish emocionin që të jep ky ekip kur zbret në fushë e jo për të vazhduar me rekordet negativë në stadiumin “Loro Boriçi” për numrin e pakët të tifozëve që dikur zhurmat e tyre gumëzhinën deri në malet e Krujës ndoshta. Ajo lojë me skuadrën më të vjetër në Shqipëri që përfaqëson aristokracinë e fubollit shqiptar duhet të marrë fund sepse Vllaznia përfaqëson shumë më shumë se disa interesa të njërit apo tjetrit. Përndryshe përsa kohë Vllazinia noton ndër të tilla rrjedha aty “edhe qeni ha petulla”.