Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia ka nisur punën në merkato prej disa javësh, duke dhënë sinjale të qarta se këtë sezon nuk do të kursejë asgjë për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Pas prezantimeve zyrtare të Krujës, Kouros, Hakajt dhe Jazxhit, drejtuesit kanë gati lëvizje të tjera konkrete në pothuajse të gjitha repartet.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se janë identifikuar të paktën tre futbollistë të tjerë, që do të afrohen gjatë fazës përgatitore. Synimi është që grupi bazë të jetë pothuajse i kompletuar në fazën përgatitore, në mënyrë që stafi teknik, me në krye trajnerin Edi Martini, të ketë kohën e nevojshme për ndërtimin e skuadrës.

Të paktën, kjo ka qenë edhe kërkesa e trajnerit Edi Martini. Vllaznia është duke punuar në mënyrë intensive për të siguruar tre përforcime vendimtare në çdo repart, të cilat pritet të jenë shtylla kurrizore e skuadrës në sezonin e ri. Në listën e merkatos janë futur një portier me eksperiencë, një qendërmbrojtës me përvojë dhe një mesfushor organizator me vizion, që do të kompletojnë strukturën bazë të formacionit.

Mbrojtja ka qenë një nga repartet që ka pasur pasiguri sezonin e kaluar dhe për këtë arsye, klubi është shumë pranë arritjes së marrëveshjes me një futbollist me eksperiencë. Në mesfushë, Vllaznia është foksuuar në një profil lojtari që zotëron aftësi të mira në shpërndarjen e topave, ka vizion të qartë loje dhe saktësi në pasime.

Emri më i lakuar është i Sherif Kallakut dhe ky pritet të jetë “motori” i skuadrës, që do të diktojë ritmin dhe do të lidhë repartet, duke marrë në dorë kontrollin e lojës dhe duke dhënë kreativitet në ndërtimin e aksioneve. Këto tre lëvizje janë të konsideruara vendimtare nga stafi teknik dhe drejtuesit, pasi do të vendosin bazën mbi të cilën do të ndërtohet një ekip me ambicie për të qenë realisht në garë për objektiva madhorë. Futbollistët janë në fazë të avancuar bisedimesh dhe pritet të prezantohen gjatë fazës përgatitore.(www.shkodrasport.com)