Nga Maringlen ZHIVANI
Kombëtarja e Shqipërisë vijon me seancat stërvitore, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet me Serbinë. Këto ditë në stërvitje, Kombëtares i janë bashkuar edhe futbollistë jashtë listës. Një ndër ata është edhe mbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi.
Ky i fundit është bashkuar me Kombëtaren kuqezi vetëm për stërvitje, pasi mesa duket Sylvinho e pëlqen si lojtar dhe madje i ka dhënë edhe mundësinë. Në fakt, Jazxhi është objektivi i Vllaznisë për qendrën e mbrojtjes.
Ai është një nga lojtarët që Edi Martini e ka kërkuar me ngulm te Vllaznia dhe nga sa bëhet me dije, ashtu siç “Shkodra Sport” e ka raportuar edhe më parë, është arritur një marrëveshje që ai të luajë me kuqeblutë.
Jazxhi do të huazohet tek Vllaznia për turin e parë të Kupave të Europës. Në rast kalimi të një turi, nga drejtuesit do të tentohet edhe blerja e kartonit të tij.
Në fakt, ditën e djeshme, drejtuesit e Vllaznisë e kanë pritur Jazxhin që të jetë në Shkodër dhe t’i bashkohet ekipit në seancat stërvitore, por duke qenë se Sylvinho e ka marrë në Kombëtare për stërvitje, do të presin në ditët në vijim.(www.shkodrasport.com)