Për tan shkodranët sot është sërish festë. Vllaznija e tyne ka ditëlindjen e rradhës, atë të 104-tën. Asht ma e vjetra në moshë ndër të tanë klubet e tjera, por “mbahet” mirë. Biles, duket ma e fortë se kurrë. Të paktën në futboll ku synon që sivjet t’u rikthejë shkëlqimin e syve tanë tifozave të saj, për t’i dhuru titullin e 10-të kampion.

Kuptohet që këtu nuk po përmendim Vllazninë e futbollit të femnave sepse ajo tashma asht shndërru në emblemën e këtij qyteti por edhe të tanë Shqipërisë, për arritjet e jashtëzakonshme në arenën kombëtare e ndërkombëtare, duke shku si askush tjetër deri në 16-shen e skuadrava ma të mira të Europës. Ndërsa në vendin tonë ajo nuk njeh rivalë dhe asht thjesht çështje kohe, fitimi i kupës së 10-të rradhazi dhe po ashtu edhe i titullit të 10-të kampion, çka do të shoqnohet edhe me vendosjen e të parit yll në fanellën e saj.

Emocione të jashtëzakonshme e që për fat të keq janë të kundërta tek basketbolli i meshkujve të Vllaznisë. Ekipi i futbollit e festoi 100 vjetorin e klubit në kategorinë e parë dhe mesa duket edhe ai i basketbollit do ta festojë 105 vjetorin vitin e ardhshëm në të njajtat pozita. Sa i takon ekipeve të tjera të lojërave me dorë, kënaqësia ma e madhe e tyne asht renditja në 4-shen e ma të mirave. Vetëm kaq sepse nuk mund të pretendojnë ma tepër sepse tre të parat investojnë shuma ma tepër se ata.

Për fat, ky 104 vjetor i Vllaznisë e gjen atletikën shkodrane prap në nivele të nalta dhe këtë vit ajo do të synojë të fitojë të 14-tin titull kampion rradhazi. Një sukses i shkëlqyer i këtij ekipi që vjen falë punës së shkëlqyme që trajnerë dhe sportista bajnë çdo ditë në stërvitje.

Sa i takon boksit, tashma ka një dyzim për një kalim nga ai olimpik në profesionist, por ajo çka ne konstatojmë asht se të rinjtë po e pëlqejnë tashmë gjithnjë e ma pak këtë sport burrëror. Dhe nëse nuk ndërhyhet shpejt, e ardhmja e tij nuk do jetë ma ajo e lavdishmja e këtyne tre dekadave.

Sot asht 104 vjetori i Vllaznisë por sporte të tjera si çiklizmi, peshëngritja, xhudo, mundja, gjimnastika, noti, shahu, taekondo i gjen mes shumë problemeve të largimit të sportistave cilësorë jashtë vendit. Kuptohet që ata nuk e shohin të ardhmen këtu sepse edhe nëse shpallen kampion të vendit, nuk mund të sigurojnë asgja me atë trajtim ushqimor që marrin.

Bashkia Shkodër për momentin asht e vetmja financuese e tyne, por mbase procesi i shndërrimit të Sportklub Vllaznia në shoqata për secilin sport më vehti, nuk ka qenë i studiuar mirë dhe kjo ua ka shtuar edhe më shumë hallet në vend që të ndodhte e kundërta. E kjo vjen ngaqë biznesmeneët shkodran nuk e kanë ndër mend “të fusin dorën në xhep” për t’i ndihmuar këto sporte e sportistë, sepse në fund të fundit asnjë ligj nuk i favorizon ata.

104 vjetori i Vllaznisë e gjen klubin legjendar të Shqipërisë ende pa muzeun e saj sportiv. Vendin ku do të mblidhej historia mbinjëshekullore e klubit kuq e blu. Shumë herë e premtune, shumë herë e bane realitet në letra, por deri tash asgja konkrete dhe kjo asht e dhimbshme. Ditët e fundit duket se ka lëvizje në kët drejtim, por të shpresojmë…

E kjo ditëlindje duhet të jetë një apel për të tanë shkodranët: Emri i Vllaznisë duhet naltësu sa ma shumë, nga të gjithë sepse asht krenaria e tyne, asht dashnia e madhe dhe e patjetërsueshme e tyne. Si rrjedhojë duhet ta mbrojnë fort dhe ta mbështesin. E kanë thanë dhe duket se një shprehje e tillë asht reale edhe sot: “Vllaznija ka kundër tanë Shqipërinë”. Prandaj, të paktën shkodranët duhet me i pas për veti, në momentet të mira dhe të vështira sepse asht emni që na ka krenar të tanve në këto 104 vite ekzistencë të saj dhe me siguri do të na bajë prapë edhe në të ardhmen.

Gëzuar këtë përvjetor të lindjes Vllazni e dashur dhe festosh edhe shumë e shumë vite të tjera me sa ma shumë gëzime e suksese!
Gjergj KOLA