Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia, një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, synon të ndërtojë një ekip konkurrues për vitin e ardhshëm në Superiore. Një sipërmarrje e vështirë kjo, por gjithsesi jo e pamundur. Në klub duan që të mbyllin sa më parë afrimet, duke qenë se në fund të muajit do të nisin edhe fazën përgatitore.

Trajneri Edi Martini dhe stafi drejtues janë në përpjekje të vazhdueshme për të bindur elementë cilësorë t’i bashkohen ekipit, por deri më tani vetëm Kruja, Kouros dhe Hakaj janë zyrtarizuar. Për momentin, duket se sytë janë hedhur përtej kufinjve. Shumica e futbollistëve cilësorë në Shqipëri ndodhen aktualisht nën kontratë me ekipet e tyre, ç’ka e bën të vështirë dhe të kushtueshëm afrimin e tyre.

Drejtuesit e Vllaznisë janë në kërkim të përforcimeve të domosdoshme për të plotësuar disa reparte të dobëta, por merkatoja vendase nuk po ofron zgjidhjet e duhura. Kjo situatë po i detyron kuqeblutë të shqyrtojnë edhe tregun jashtë vendit, edhe pse kjo kërkon më shumë kohë, sepse shpesh herë futbollistët që vijnë nga jashtë nuk janë në pritshmëritë që priten.

Drejtuesit mësohet se kanë nisur të shohin më shumë nga tregu afrikan, ku ka një bazë të gjërë talentesh me potencial të lartë dhe me kosto më të ulët.(www.shkodrasport.com)