Vllaznia do rikthehet ditën e sotme në fushën e stërvitjes. Shkodranët kanë qenë pushim që nga dita e shtunë, ku u përballën në kuadër të javës së 3-të ndaj Skënderbeut. Por duke qenë se kampionati do jetë pushim këtë fundjavë, trajneri Brdaric ka vendosur që futbollistët të kenë disa ditë më tepër pushime. Në mënyrë që të rikuperojnë energjitë e tyre.

Por skuadra do jetë në dalë në fushë sot, ku do shikohet edhe gjendja e disa futbollistëve. Ndër ta janë Bajrami dhe Krymi, të cilët në javën e ardhshme kundër Egnatias pritet të jenë në 100% të formës fizike. Këto ditë pritet të shikohet edhe gjendja e Kahrimanoviç, i cili ende nuk ka debutuar në kampionat me Vllazninë.

Kroati pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit miqësore të verës dhe që nga ajo periudhë ka qenë jashtë fushave të lojës. Në ditët në vijim pritet të shikohet nëse mesfushori ka pasur progres përsa i përket rikuperimit të tij. Me interes po ashtu pritet edhe prezantimi i parë me skuadrën i sulmuesit, Essang-Matouti. Lojtari nga Gaboni u prezantua ditën e djeshme zyrtarisht nga klubi kuqeblu.

Dhe kurioziteti për ta shikuar në fushën e lojës është i madh rreth 21-vjeçarit. I cili patjetër do ketë një vëmendje speciale përsa i përket ambientit të futbollit në Shkodër. Pasi një sulmues kërkohej prej kohësh nga kuqeblutë dhe në javët në vijim do shikohen edhe vlerat e afrikanit.
Endri ÇINARI