Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia synon të ndërtojë një skuadër që të jetë jo vetëm konkurruese, por pretendente për objektiva të mëdha. Ambicia në klub është e qartë, teksa Vllaznia synon të jetë një forcë që të rivalizojë jo vetëm për vendet europiane, por edhe për titullin kampion. Megjithatë, realiteti në merkato, deri tani është shumë larg këtyre aspiratave.
Merkatoja është në duart e drejtuesve, por presioni është gjithnjë e më i madh. Koha nuk pret dhe poashtu as tifozët. Të gjithë në qytet flasin për ndërtimin e një skuadre të fortë. Në komunikimet e tyre, drejtuesit e klubit shpjegojnë se po punohet me kujdes për të bërë përforcime me cilësi, jo me sasi.
Megjithatë, edhe vetë klubi e ka të qartë se koha nuk është në anën e tyre, pasi Europa po afrohet me shpejtësi. Në ambientet sportive të qytetit dhe në media, janë përmendur disa emra interesantë. Momentalisht, vëmendja është përqëndruar edhe te porta. Mbrojtja ka nevojë për organizim dhe përvojë, sidomos në ndeshjet ndaj ekipeve europiane, të cilat nuk të falin asnjë gabim.
Mesfusha kërkon një përforcim kyç, një organizator me vizion dhe qetësi në lojë. Për këtë pozicion, janë lakuar disa emra, ndërsa klubi po kërkon një futbollist që të jetë “regjisor klasik”. Megjithatë, pa ndonjë zhvillim konkret deri tani. Koha është një nga sfidat më të mëdha të merkatos kuqeblu. Burime zyrtare të klubit njoftojnë se faza përgatitore do të nisë të hënën e 23-qershorit.
Prandaj, afrimet duhet të bëhen sa më shpejt për të krijuar një grup të plotë. Çdo ditë pa lëvizje të tjera konkrete në merkato rrit presionin dhe ul kohën për integrim të futbollistëve të rinj. Trajneri Edi Martini dhe stafi teknik kanë kërkuar që të paktën bërthama kryesore e skuadrës të jetë e kompletuar për nisjen e fazës përgatitore, në mënyrë që të shmanget vonesa në ndërtimin e skemave taktike dhe harmonisë në grup.(www.shkodrasport.com)