Klubi shkodran i Vllaznisë pritet të bëjë ndryshime të rëndësishme gjatë merkatos së verës, me synimin për të qenë pretendent serioz për trofetë madhorë dhe për të kaluar turin e parë të kompeticioneve evropiane.
Gazetari sportiv nga Shkodra, Maringlen Zhivani, në një intervistë për “MCN Informacion”, analizoi situatën aktuale të merkatos së Vllaznisë, duke numëruar si largimet, ashtu edhe afrimet e pakta të deritanishme.
“Vllaznia është një skuadër që, pavarësisht largimeve, afrimet i ka pasur me pikatore gjatë kësaj periudhe. Deri tani janë rikthyer lojtarë si Kruja dhe Hakaj.
Është afruar Kuros, një lojtar me eksperiencë në kampionatin shqiptar me Teutën, i kërkuar posaçërisht nga trajneri Martini. Po ashtu, në formë huazimi nga Teuta është afruar edhe Artan Jazxhi, i cili do të jetë pjesë e ekipit për Kupat e Europës. Po ashtu edhe Elmando Gjini që është huazuar nga Ballkani”- është shprehur Zhivani.
Sipas tij, këto janë vetëm pesë afrimet zyrtare deri tani, të cilat mbeten të pakta për një skuadër që ka objektiva evropiane.
“Për mendimin tim, këto afrime janë të pamjaftueshme nëse Vllaznia synon realisht kalimin e tureve në Evropë. Megjithatë, me grupin që ka aktualisht, mund të konkurrojë denjësisht.
Vllaznia ka pasur largime të disa titullarëve, dhe drejtuesit janë në kërkim të përforcimeve të mëtejshme. Nga informacionet që kam, klubi po punon për afrimin e një portieri dhe një mesfushori. Përflitet edhe emri i Sherif Kallakut, por ai ende nuk ka shkëputur kontratën me klubin rumun. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse këto dy afrime do të bëhen zyrtare”- ka thënë ai.