Gentian Selmani është largimi i radhës te Tirana. Portieri ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me bardheblutë. Portierit i ka përfunduar kontrata dhe palët nuk arritën një akord për të rinovuar. Selmani ishte pjesë e Tiranës prej dy sezonesh, ndërsa në edicionin e fundit mbajti edhe shiritin e kapitenit.

Në postimin e tij, ai falenderon klubin, ndërsa shkruan se Tirana do të ketë një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Pas dy vitesh të bukura, erdhi koha t’i them mirupafshim këtij klubi të madh. Tirana gjithmonë do ketë një vend të veçantë në zemrën time.

I jam shumë mirënjohës dhe falënderues, në radhë të parë familjes Halili, me në krye president Refik Halilin, të gjithë trajnerëve, shokëve të ekipit dhe të gjithë anëtarëve të stafit në klub për këtë periudhë që punuam bashkë.

Për tifozët e mrekullueshëm: faleminderit për mbështetjen, pasionin dhe energjinë në çdo ndeshje. S’do t’i harroj asnjëherë emocionet që na keni dhënë.

I uroj klubit vetëm suksese dhe lumturi për të ardhmen. Me respekt, mirënjohje dhe përzemërsi, Gentian Selmani”, shkruan futbollisti.

Selmani ka dalë lojtar i lirë në merkato dhe mbetet të shihet se ku do të vazhdojë karrierën e tij futbollistike. Burime të ndryshme bëjnë të ditur se portieri ka arritur akordin dhe tashmë pritet të firmosë me skuadrën tjetër të Superiores, Teutën.