Në këtë intervistë ekskluzive për www.shkodrasport.com, ish-kapiteni i kombëtares sonë dhe tani menaxher i FIFA-s, flet se i u largua për herë të parë nga Shqipëria. Ai tregon gjithashtu nëpërmjet një retrospektive personale se si nisi karriera e tij dhe si përfundoi në një nga klubet më të njohur të Europës, pikërisht atëherë kur Shqipëria kishte hyrë në listën e zezë të vendeve të kontinentit plak.

 Ndryshimet e sistemeve kishte shkaktuar një tërmet ndjenjash dhe pasiguria për të ardhmen i kishte detyruar mjaft njerëz ta braktisin atdheun. Por largimi i Rudi Vatës ishte ndryshe, ai ishte një largim për t’i dhënë më shumë emër Shqipërisë, ishte një largim për të një të ardhme më të mirë. Ishte një largim për t’i treguar vendeve të ndryshme se shqiptarët nuk janë njerëz që duan ta braktisin vendin për qejf, po për të treguar aftësitë e tyre profesionale dhe pse jo, për t’u ballafaquar denjësisht me më të mirët.

Rudi Vata u largua në Francë, pikërisht ku sot pas 20 vjetësh kombëtarja jonë do të zhvillojë ndeshjen e saj për Euro 2012.

Së shpejti, më saktë me 7 tetor ekipi ynë kombëtar do të udhëtojë drejt Francës për t’u ndeshur me “gjelat”. 20 vjet më parë kur ju nuk ishit më shumë se 22 vjeç, si futbollist udhëtuat me ekipin kombëtar drejt Francës, për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria. Çfarë ju shtyu të largoheshit dhe a mund ta kujtoni pak atë ngjarje?

E vërtetë. Pak më shumë se 20 vjet më parë kam udhëtuar me ekipin kombëtar për në Paris, për të luajtur kundra Francës. Pas ndeshjes kam qëndruar në Francë, ku kam kërkuar azil politik.

Çfarë ju shtyu të merrnit një vendim të tillë?

Arsyeja ishte e madhe. Ajo kishte të bënte me të ardhmen e karrierën time profesionale. Franca ishte vendi i parë euriopian, ku për herë të parë në jetën time fitova lirinë e të menduarit, kuptuarit, punuarit në kushte normale dhe me shanse të barabarta. Unë mora një vendim të vështirë por tepër të rëndësishëm për mua dhe familjen time. Qëndrimi në Francë ishte fillimi i një rruge të re e të gjatë, e cila dhe më krijoj bindjen e plotë për t’u bërë i suksesshëm në jetë.

Cila ishte skuadra franceze, që ju pranoi në gjirin e saj?

Le Mans ka qenë skuadra e parë franceze që më ka pranuar në gjirin e saj. Që në fillim dua të them se ata më kanë pritur e trajtuar mjaft mirë, ndonëse fillimin e kam pasur tepër të vështirë, për arsye të një dëmtimi serioz në kavilje.

A ndikoi në largimin tuaj arratisja 4 vjet më parë në Greqi e kolegëve tuaj Lulzim Bërsheni dhe Arvid Hoxha?

Jo. Arratisja e shokëve të mi Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni 4 vite më parë nuk ka pasur ndikim në vendimin tim për të qëndruar në Francë.

Megjithatë udhëtimi i atëhershëm i kombëtares sonë drejt Francës ka pasur peripecitë e veta. Është kështu apo jo?

Po, gjatë rrugës për në Francë u larguan dhe nuk e vazhduan rrugën me ne drejt Francës.

Kush ishin ata?

 

Bëhet fjalë për Kaçaçin, Ibron e Leskajn.

Megjithatë pas ndeshjes me kombëtaren franceze numri i të larguarve ishte shumë më i madh?

Pas ndeshjes, midis atyre që u larguan isha unë, Kepa, Gjergji dhe Sukaj.

Pak më parë u shprehët se për shkak të një dëmtimi fillimi nuk ishte edhe aq i mbarë, megjithatë një vit më vonë, më saktë me 1992, ju lidhët një kontratë me një nga klubet më të njohur të futbollit në Europë, Celtic të Gllazgout. Si ndodhi kjo?

Po, është e vërtetë, në gusht të vitit 1992 kam firmosur për Celtic që drejtohej nga i famshmi Liam Brady. Celtic është një klub që gëzon një respekt të madh dhe ka një histori unike në futbollin britanik. Është klubi i parë britanik që ka fituar kupën e kampioneve dhe për një shqiptar të firmoste për një klub me përmasa të tilla ishte një arritje e madhe. Me punë, seriozitet dhe disiplinë kam ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me drejtuesit, lojtarët dhe fansat e klubit. Mendoj se ka qenë një eksperiencë fantastike dhe një shkollë e madhe nga ana profesionale.

Sa e vështirë ishte kjo për Rudin?

Ishte shumë e vështirë, ishte shumë e vështirë. Në vitin 1992 një shqiptar të luante me një klub të madh si Celtic për ndokënd do të ishte edhe e pabesueshme. Sot ndoshta nuk përbën ndonjë gjë të veçantë, por atëherë ishte diçka vërtet e jashtëzakonshme. Ato vite ishin vite tranzicioni. Shqiptarët nuk njiheshin për nivel të lartë futbolli. Madje në atë vit shqiptarët kishin marrë edhe një emër disi të keq për shkak të largimeve të shumta nga vendi e gjërave të tjera. Të gjitha këto e vështirësonin shumë pranimin tim në një klub të tillë të madh. Megjithatë, unë arrita të thyej çdo barrierë dhe duke thyer çdo opinion, arrita të luaj me Celtic, duke treguar se shqiptarët janë edhe njerëz të zgjuar, por edhe sportistë të mirë. Mua m’u dha një shans dhe unë e shfrytëzova atë. Punova dhe fitova.

Sa kohë keni qëndruar tek Celtic?

Tek Celtic kam qëndruar 4 vjet. Nga viti 1992 deri në vitin 1996, ku kam fituar edhe një kupë të Skocisë. Në ato vite dominonte Gllazgou Rejxhërs dhe ne gjithmonë renditeshim të dytët.

Pas Celtic ku keni shkuar?

Pas Celtic kisha një mundësi të shkoja për të luajtur në Francë me Olimpik të Marsejës. Oferta më ishte bërë dhe isha gati për të nënshkruar, por menaxheri im më tha se oferta, që më bënte AEK i Athinës ishte më e mirë.

Megjithatë ju nuk shkuat në Athinë. Përse?

Unë do të shkoja tek AEK-u, sepse nga kjo skuadër do të largohej një nga futbollistët legjendarë të saj, Manolas. Besova tek ky menaxher, madje edhe firmosa, shkova në Athinë, por Manolas ndryshoi mendim. Ai e shtyu edhe një vit qëndrimin e tij tek AEK-u dhe në momentet e fundit unë shkova në Qipro për të luajtur me Apollon të Limasolit. Këtu luajta për dy sezone 1996-1998. Ishte një ishull fantastik, një vend i qetë. Ishte një eksperiencë e bukur.

Pas Qipros?

Pas Qipros kam shkuar në Gjermani tek Energjik Kotbus, ku kam kaluar 4 sezone, nga viti 1998 deri në vitin 2002. Në këtë vit jam larguar për një periudhë 6-mujore tek një skuadër e kategorisë së dytë në Gjermani, Ahlen. Pastaj nga Ahlen jam kthyer në shtator të vitit 2002 te Tirana. Tek Tirana kam ndenjur deri në janar të vitit 2003. Në vitin 2003 kam shkuar tek Jakohama dhe në 2004 kam përfunduar në Skoci tek St Xhonson.

Të kthehemi tek kombëtarja?

Me shumë dëshirë.

Kur u rikthyet në Shqipëri dhe kur filluat të luanit sërish me kombëtaren tonë?

Me kombëtaren jam kthyer të luaj sërish pas një viti, në ndeshjen kundra Spanjës në Sevilje, ndërsa në Shqipëri jam kthyer në qershor të vitit 1992 në ndeshjen kundra Lituanisë.

A ju kujtohet ndeshja e parë me fanelën kuq e zi?

Më kujtohet si sot. Ka qenë një ndeshje që kemi zhvilluar në Islandë në vitin 1990 dhe trajner i kombëtares ishte një gjermanolindor, që mesa kujtoj e quanin Joakim Klinger.

Keni zhvilluar 59 ndeshje me kombëtaren. Cilën do të veçonit prej tyre?

Mendoj se çdo ndeshje ka qenë interesante dhe emocionuese. Kombëtaren e kemi dashtë shumë. Kombëtarja për mua, por edhe për të tjerët, ka qenë vërtet një gjë e madhe, një gjë e shtrenjtë. Kombëtarja është ëndërr për çdo futbollist. Kush nuk do që të luajë me atë skuadër, që përfaqëson kombin e vet? Në ato vite të para të demokracisë, pra të ndërrimit të sistemeve, nuk kishte stimuj. Ne luanim për nder, luanim për nderin e Kombëtares. Ne bënim edhe një farë sakrifice.

Përse e thoni këtë?

Ishte koha kur shumë futbollistë ishin larguar nga Shqipëria dhe tek klubet ku luanin, kishin kushte ideale. Shumë njerëz, kur vinim në aeroport, na thonin: “Përse vini, çfarë ju duhet kombëtarja, jeni shumë mirë andej, njerëzit po ikin, njerëzit po largohen nga Shqipëria, ju vini?”. Por ne vinim, vinim për t’i shërbyer vendit, vinim për t’i shërbyer kombëtares. Vinim për t’i treguar botës se Shqipëria, edhe në kësi kushtesh të vështira, mund të bëjë gjëra të mira dhe një nga këto ishte futbolli.

Çfarë vështirësish kishte në ato vite?

Dua t’ju them se vështirësitë jo vetëm që ishin të shumta, por edhe të mëdha. Për të mos u zgjatur shumë në këtë problem, dua t’ju tregoj këtë shembull: Mbaj mend në një ndeshje që kemi luajtur në Danimarkë, fanelat na kanë ardhur 2 orë përpara ndeshjes. Ishin disa fanela të firmës Humel dhe mbaj mend se ishin fanela ngjyrë blu. Më duket kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që kombëtarja jonë ka luajtur me fanela blu. Siç thashë, këto i veshëm nga halli, sepse nuk kishim fanela fare, nuk kishim as mbathje e as geta. Ato u porositën urgjent nga ajo firmë, që sponsorizonte kombëtaren e Danimarkës. I vumë një vulë fallco fanelave blu e bardh, që të mos dukej. Federata jonë e futbollit nuk kishte fonde, nuk kishte asgjë. Megjithatë, ne futbollistët kishim dëshirën për t’i shërbyer sa më shumë asaj.

Ju pyeta për ndeshjen më të bukur. Cila ka qenë ajo për një futbollist, që ka zhvilluar 59 të tilla me fanelën kuqezi?

Mendoj se kanë qenë ndeshjet që kemi zhvilluar kundra Gjermanisë, ajo e Hanoverit, ku trajner ishte zoti Astrit Hafizi (4-3) dhe ajo e Leverkursenit, ku trajner ishte zoti Medin Zhega (2-1). Këto kanë qenë për mua ndeshjet më interesante e më të bukura. Por më e bukura dhe më e hidhura njëkohësisht ka qenë ajo kundra Gjermanise siç thashë në Hanover, ku në minutën e 87-të unë shënova kundra Oliver Kahn 3:3. Dhe kur të gjithë mendonin se rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje do të ishte ky barazim i drejtë për të dy ekipet, ndodhi e pabesueshmja. Në minutën e 93-të Bierhof shënon 4:3 për Gjermaninë. E pabesueshme, plot 7 gola, plot gëzim brenda lojës dhe plot lot në fundin e saj.

Duke qenë një mbrojtës i mirë, keni luajtur ndaj mjaft sulmuesve të njohur: nga kush jeni druajtur më shumë?

Kam pas fatin të luaj kundra shumë sulmuesve të mëdhenj si Klinsman, Laudrup, Stoickov, Shevchenko, Cantona, Papen, Butraguenjo e të tjerë, të gjithë të rrezikshëm e me veçori të ndryshme dhe nëse nuk ishe i përgatitur fort, ishte shumë e vështirë t’i mbuloje?

Keni qenë ndoshta ndër kapitenët më jetëgjatë në krye të kombëtares sonë. Është kështu apo jo?

E kam vënë shiritin e kapiteni në një ndeshje miqësore që kemi bërë në Athinë, ku trajner i skuadrës ishte Neptun Bajko dhe kam vazhduar pastaj me të gjitha ndeshjet, kur kombëtaren tonë e kanë drejtuar Hafizi dhe Zhega. Mund të përjashtoj një ose dy ndeshje, kur kam qenë i dëmtuar. Për mendimin tim, ka qenë një periudhë shumë e gjatë, shumë interesante, me trajnerët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria. Ndonëse nuk bëmë ndonjë gjë të madhe, gjatë kësaj kohe u ndërtua një kombëtare e mirë, ku mendoj se trajnerët sakrifikuan shumë. Mendoj se prezantimi i mirë i futbollistëve tanë në kombëtare bëri që ata të shiheshin me sy të mirë edhe nga klubet e tyre.

Sa e vështirë është për të qenë kapiten i një kombëtareje?

Nuk është shumë e vështirë. Në radhë të parë duhet të fitosh besimin e të tjerëve. Por ky besim nuk fitohet kollaj. Nuk fitohet pa qenë vetë shembull i një ekipi, nuk fitohet pa qenë lider i tij. Mbaj mend se Litbarski më thoshte këto fjalë: “Rudi, ti ke diçka të mirë, ndoshta ndryshe edhe nga të tjerët, je një lider. Të tjerët mund të kenë edhe inat. Mund edhe të të bëjnë gjëra për të të larguar, por të qenurit lider nuk mund ta heqë askush”.

Duke mos u shkëputur nga kombëtarja, le të flasim për atë fillim të rrugës suaj sportive. Nga nisi karriera e Rudi Vatës?

Unë karrierën e kam filluar në moshën 10-vjeçare në klasat sportive të shkollës “Xheladin Fishta” në Shkodër me trajnerët e pasionuar Selami Dani dhe Agim Medja.

Në moshën 14-vjeçare kam shkuar në shkollën e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi” në Tiranë me trajnerin dhe njeriun tepër korrekt dhe tepër të aftë nga ana profesionale, të nderuarin Aurrel Verria. Tek kjo shkollë kam mësuar Germa të mëdha për futbollin edhe nga trajnerët Skënder Dedja dhe Ramadan Shehu. Pas shkollës së mesme jam kthyer në Shkodër, në qershor të vitit 1987 dhe deri në nëntor të atij viti jam aktivizuar me Vllazninë e Shkodrës, ku jam aktivizuar në ndeshjet e kampionatit e të kupave të Europës me trajner Astrit Hafizin. Në nëntor të vitit 1987 jam larguar për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, ku jam aktivizuar me Dinamon deri në mars 1991 me trajner Bejkush Birçen.

Po në kampionatin shqiptar, cili ka qenë sulmuesi më i vështirë për ju?

“Në kampionatin shqiptar Arben Minga, Agustin Kola, Sokol Kushta etj. kanë qenë një “kafshatë”, që nuk mund të kapërdihej kollaj.

Keni 20 vjet që jetoni jashtë vendit, a e ndiqni kampionatin shqiptar dhe cili është mendimi juaj për të?

E ndjek vazhdimisht kampionatin shqiptar. Është një kampionat shumë i dobët, pa ritëm, është një kampionat që prodhon shumë gjëra negative dhe shume pak fair play. Është një kampionat jo i vërtetë dhe shumë pak i besueshëm, ka mungesë të theksuar organizative nëpër klube, ka infrastrukturë dhe bazë materiale të dobët, por mbi të gjitha, mungojnë njerëzit e vërtetë profesionistë, ata që transmetojnë frymë dhe energji profesionale. Kam dëgjuar se quhet kampionat tavolinash.

Edhe pse humbi ndaj një skuadre modeste si Luksemburgu, trajneri Kuzhe nuk dha dorëheqjen. A duhej të vepronte federata jonë e futbollit siç veproi federata bullgare që largoi Mateosin dhe federata malazeze që largoi kroatin Kranciar për rezultate të dobëta?

Kuzhe nuk dha dorëheqjen sepse në mënyrën e tij ashtu e mendoi. Ai ka një kontratë deri në fund të sezonit dhe nga ana personale dhe profesionale ka vepruar drejt. Ndoshta FSH nuk e largoi, duke menduar koston financiare dhe për të ruajtur disi ekuilibrat.

A mendoni se ju dhe të tjerë kolegë tuaj, që i kanë dhënë gjithçka kësaj kombëtareje, ka ardhur koha për ta drejtuar atë, duke thyer kësisoj edhe një farë tabuje të të huajve që e kanë drejtuar atë që nga viti 2002?

Mendoj dhe besoj që Shqipëria ka njerëz të mirë, të edukuar e të evropianizuar, ka mjaft ish-kuqezi, që tashmë janë profesionistë që janë të vlefshëm t’i shërbejnë futbollit kombëtar. Mendoj që shanset duhet të jenë të barabarta për ata ish-kuqeznj që kanë ambicie të drejtojnë kombëtaret shqiptare të futbollit.

Shqipëria do të udhëtojë drejtë Francës. A mund të bëni një krahasim midis dy kombëtareve pavarësisht se ato i ndan një kohë tashmë 20-vjeçare?

Kombëtarja do të udhëtojë drejt Francës për të luajtur ndoshta ndeshjen më të vështirë të këtyre eliminatoreve. Uroj dhe shpresoj që grupi i lojtarëve që do të jenë përballë francezëve, të jenë të përqendruar maksimalisht dhe në formën e tyre më të mirë. Do të jetë një ndeshje e madhe dhe delikate, por edhe një shans i madh për të bërë një figurë të mirë, duke promovuar ekipin kombëtar pse jo dhe lojtarët e rinj.

Them se nuk mund të bëhet një krahasim midis dy kohëve. Atëherë ishim futbollistë që nuk kishim as kushtet minimale për të luajtur përveç dëshirës, ndërsa sot kombëtarja jonë i ka të gjitha kushtet, ashtu si dhe ekipet e tjera. Por nuk mund të mos bëj një dallim. Atëherë kombëtaren tonë e drejtonin Bejkush Birçe dhe Astrit Hafizi, ndërsa sot e drejton Josip Kuzhe ndërkohë që Francën atëherë e drejtonte një futbollist i madh francez si Mishel Platini por edhe pas 20 vjetëve atë e drejton një ish-futbollist i madh francez, Lorent Blanc.

Intervistoi: Ramadan Bigza

Kryeredaktor i “ALBANIA PRESS”

 

 

“Pasaporta”

 

Emri: Rudi

Mbiemri : Vata

Vendlindja: Shkodër

Vendbanimi: Skoci

Datëlindja: 13 shkurt 1969

Gjatësia:180 cm

Pesha: 82 kg

Debutimi me kombëtaren: 30.05.1990, ndaj Islandës (0-2)

Ndeshja e fundit me kombëtaren: 01.09.2001, ndaj Finlandës (0-2)

 

5 gola me kombëtaren

07.06.1995   Moldavi-Shqipëri      3-2

11.10.1997   Gjermani-Shqipëri    4-3

10.02.1999   Shqipëri-FYROM     2-0

06.02.2000   Shqipëri-Andorra      3-0

15.11.2000   Maltë-Shqipëri   3-0

 

Ndeshjet e Rudi Vatës

Bilanci: 59 ndeshje gjithsej

12 fitore, 12 barazime, 35 humbje

Golaverazhi 53-96, 36 pikë, 30.51 përqindja

5 ndeshje miqësore

28 ndeshje kualifikuese për Botëror

20 ndeshje kualifikuese për Europian

6 ndeshje turnesh të tjerë

Numri që ka mbajtur në fanelë: 5

Arsyeja: Krahasimi me numrin 5 të holandezit Rudi Krol

Skuadrat me të cilat ka luajtur: Vllaznia e Shkodrës, Dinamo e Tiranës, Le Mons, Sëlltik i Gllazgout, Apollon i Limasolit, Energi Kotbus, Ahlen, Tirana, Jakohama, St Xhonson.

 

 

Ramadan Bigza

Kryeredaktor i “ALBANIA PRESS”