Shqipëria U-17 ka humbur 0 me 5 përballë Holandës në stadiumin “Air Albania”. Kjo ndeshje pati vlerë për raundin e parë të kualifikueseve të Europianit U-17. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2 me 0 të “tulipanëve”, ndërsa në të dytën shënuan dhe tre të tjerë.

Njoftimi i FSHF:

Shqipëria U-17 luajti sot ndeshjen e dytë të grupit 3 të raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 ndaj Holandës. Në stadiumin “Air Albania” tulipanët fituan me rezultatin 5-0.

Trajneri Andrea Tedesco e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Holandës: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Kris Gecaj (C), Andreas Llana, Lucas Cekrezi, Fabjano Nuhaj, Ernesto Marqeshi, Gabriel Kulla, Rikardo Sheji, Emiljano Mihana, Alex Ramku.

Shqipëria e nisi mirë ndeshjen dhe pati një rast të artë shënimi në minutën e 8-të me Mihanën. Sulmuesi falë një aksioni personal avancoi drejt zonës dhe provoi me një goditje, por u ndal nga portieri.

Holanda mori avantazhin në minutën e 11-të me Chivano Wijks. Tulipanët shënuan golin e dytë në të 21-ën me Emre Unuvar. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për Holandën.

Shqipëria i shkoi shumë pranë golit në të 54-ën me Mihanën. Pas një harkimi perfekt të Llanës në zonë sulmuesi kuqezi provoi me një goditje, por u ndal nga portieri.

Në pjesën e dytë Holanda shënoi edhe tre gola të tjerë me Ayoub Ouarghi, Pharrel Nash dhe Jairo Beerens.

Kuqezinjtë provuan deri në fund për të gjetur rrugën e rrjetës, por pa sukses. Ndeshja u mbyll 5-0 për Holandën.

Po sot u zhvillua edhe ndeshja tjetër e grupit 3, Kroaci – Ishujt Faroe. Takimi i luajtur në “Shtëpinë e Futbollit” përfundoi me fitoren e thellë të Kroacisë 7-0.

Ndeshja e tretë dhe e fundit në grup e Shqipërisë është ndaj Ishujve Faroe, e programuar më 15 tetor, në orën 13:30 dhe do të luhet në stadiumin “Egnatia Arena”.

Në të njëjtën orë do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër e grupit Kroaci – Holandë, në “Shtëpinë e Futbollit”.

Grupi 3 – ndeshjet e raundit të parë të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17

Shqipëri – Kroaci 1-1
Hollandë – Ishujt Faroe 6-0

Shqipëri – Hollandë 0-5
Kroaci – Ishujt Faroe 7-0

Ishujt Faroe – Shqipëri , 15 tetor, ora 13:30, stadiumi “Egnatia Arena”
Kroaci – Hollandë, 15 tetor, ora 13:30, “Shtëpia e Futbollit”