Nga Endri ÇINARI
Vllaznia mbyll të shtunën në Shkodër aktivitetin futbollistik për vitin 2024. Kuqeblutë do zhvillojnë kundër Laçit ndeshjen e fundit përsa i përket këtij viti në shtëpi, për ta mbyllur më pas komplet 2024-en me duelin ndaj Partizanit javën tjetër. Për tu kthyer tek dueli me kurbinasit, ai pritet në një shkallë të lartë vështirësie për 9 herë kampionët e vendit.
Madje bardhezinjtë i mposhtën shkodranët edhe në fazën e parë me rezultatin 3-1. Ku përmbysën avantazhin fillestar të kuqebluve që në një moment të ndeshjes kryesonin 0-1. Dhe madje këtë e thonë edhe statistikat. Së bashku me ndeshjen e fazës së parë, Vllaznia nuk njeh fitore ndaj Laçit në kampionat prej 7 ndeshjesh rradhazi.
Gjatë kësaj periudhe mes dy skuadrave shënohen 3 barazime dhe 4 triumfe të kurbinasve. Duke treguar se bardhezinjtë janë një “tabu” për shkodranët në vitet e fundit. Për të shikuar një fitore të Vllaznisë ndaj Laçit duhet të kthehemi në datën 21.01.2023. Ku kuqeblutë në javën e 17-të të sezonit 2022-23 fitonin ndaj laçianëve me rezultatin 4-1.
Vendimtar në atë ndeshje me golat e tyre ishin Hoxhaj me dopietë, Juriç dhe Jonuzi për Vllazninë. E ndërsa për laçianët momentalisht kishte shkurtuar shifrat në 2-1, Shkurtaj. Pra, thuajse 2 vite pa fitore ndaj Laçit, të cilin me patjetër Vllaznia do kërkojë ta mposhtë në ndeshjen e kësaj jave në kampionat./www.shkodrasport.com/