Nga Gjergj KOLA
Në historinë e sportit shkodran janë të shumtë pjestarët të cilët e kanë lartësuar emrin e Vllaznisë me kontributin e dhënë prej tyre në sporte të ndryshme. Sot do të ndalemi tek një emër shumë i njohur, Pina Haxhi (Vuka). Kjo sepse dita e sotme përkon pikërisht me 90 vjetorin e lindjes së saj dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Pina Haxhi (Vuka) ka lindur në Shkodër më 7 gusht 1935 dhe do të merrej me sportin e saj të preferuar, basketbollin, që në moshë të vogël. Që në vitin 1949, pra 14 vjeçe, përfaqëson Vllazninë në kampionatin e parë kombëtar që do të zhvillohej në vitin 1949.

“Ka qenë shumë e vështirë në ato vite të merreshe me sport. Kishte shumë paragjykime fetare por edhe zakone prapanike të cilat nuk e konsideronin normale marrjen e femrave me sport. Megjithatë arritëm të thyenim shumë paragjykime dhe kemi përfaqësuar me dinjitet Vllazninë.
Kemi luajtur në kushte shumë të vështira, madje kemi luajtur edhe pa këpucë sepse nuk kishim dhe detyroheshim të luanim me çorape. Çfarë sakrifice megjithatë ndjeheshim mirë sepse po përfaqësonim Vllazninë, Shkodrën tonë”- thotë mjeshtrja Pina Haxhi (Vuka) në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport”.

Ajo ka kontribuar për basketbollin shkodran bashkë me bashkë me Marije Rranxin, të motrën Gita Vuka, Vitore Palokën, Gjylfere Pipën, Xhemalije Jakupin, Nina Picin, Nini Karafilin, Gjystina Palokën, Kiara Picin apo dhe trajnerët e tyre Muhamet Sokoli, Mithat Abdurrahmani etj.
Jeta e saj me sportin u forcua edhe më shumë pas martesës me një tjetër emër të madh të basketbollit shkodran dhe atij shqiptar siç ishte Esat Haxhi.
Pina luajti basketboll deri në vitin 1960 duke dhënë një kontribut të madh në ecurinë e ekipit të Vllaznisë por edhe në zhvillimin e sportit të basketbollit në vend. Por përveçse me basketboll, është marrë edhe me volejboll.
Në vitin 2009 Këshilli Bashkiak Shkodër i ka akorduar titullin “Mirënjohja e Qytetit”, ndërsa në shkurt të vitit 2019, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia, u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.(www.shkodrasport.com)
