Nga Endri ÇINARI
Në minutën e 60-të të ndeshjes miqësore , Vllaznia – Besa e mbyllur me fitoren e kavajasve 1-2, për shkodranët la fushën, Aleksander Kuros. Largimi i mbrojtësit nga fusha nuk ishte një zgjedhje taktike apo teknike e Martinit, por një zëvendësim i detyrueshëm. Kjo pasi 31-vjeçari u duk se pësoi një tërheqje muskulare dhe e kishte të pamundur për të vijuar normalisht lojën. Ku edhe në momentin që u largua për t’i lënë vendin Bajramit, u pa qartë problemi në këmbën e djathtë.
Me ish-futbollistin e Teutës që e kishte të pamundur për të ulur 100% në tokë këmbën dhe la fushën e blertë duke çaluar disi. Në mënyrë që të mos rrezikohej asgjë për ndonjë përshkallëzim të dëmtimit të tij, u vendos largimi nga fusha për Kuros. Gjendja e të cilit nuk dukej edhe aq serioze, por patjetër që gjithçka do shikohet me më detaje rreth gjendjes fizike të mbrojtësit në fillimin e kësaj jave.
Ku Vllaznia kërkon të ketë në dispozicion gjithë futbollistët e saj në prag të sezonit futbollistik të Superiores që nis të premten për shkodranët. Me ekipin e Martinit që do presë në shtëpi, në “Loro Boriçi”, skuadrën kampione të Egnatias në raundin e parë të edicionit 2025-26 të Superiores.(www.shkodrasport.com)