Nga Endri ÇINARI

Ekipet e ndryshme po përgatiten për nisjen e sezonit 2025-26 në mbarë vendin dhe përjashtim nuk bën as Basania e Bushatit. Ekipi bushatas ka dalur ditën e sotme në stërvitjen e parë sezonale, me kampionatin e Kategorisë së Dytë që nis në datën 23 shtator. Dhe ambiciet e Basania duket se janë me të vërtetë serioze në prag të edicionit të ri.

E menjëherë Basania e ka nisur me një surprizë shumë të veçantë. Para ekipit dhe futbollistëve të rinj të këtij edicioni është prezantuar edhe ai që do jetë trajneri i ri i skuadrës. Fjala është për Dervish Haxhiosmanoviç, ish-trajnerin e Vllaznisë kampione në sezonin 2000-2001, me malazezin që do jetë “timonieri” i ri i skuadrës bushatase.

Në këtë mënyrë “Deda” siç e njohin në Shkodër rikthehet të drejtojë një skuadër në Shqipëri. Ku me eksperiencën dhe bagazhin e tij pritet të jetë një aset jo vetëm për Basanian, por për mbarë kampionatin e Kategorisë së Dytë. Në staf me Haxhiosmanoviç do jenë po ashtu dy zëvendës trajnerët, Erjon Mani dhe Mario Kola. Teksa rolin e drejtorit teknik tashmë siç dihet prej kohësh do e mbulojë, Fatjon Hasani.

Por, Basania nuk ndalet me surpriza vetëm në stafin teknik, por edhe tek futbollistët. Ku së fundmi tek skuadra janë afruar disa emra të njohur të futbollit shkodran, që do zyrtarizohen në ditët në vijim nga drejtuesit e klubit. Këto lëvizje të presidentit, Ermir Shimaj tregojnë edhe njëherë për ambiciet e ekipit dhe po ashtu pretendimet për zonat e larta të renditjes.

Ndërkohë për”Shkodra Sport” ka folur në një prononcim të shkurtër edhe presidenti i ekipit Basania, Ermir Shimaj.

Numri një i klubit bushatas shprehet optimist për nisjet e përgatitjeve dhe emërimin e trajnerit Haxhiosmanoviç. Duke theksuar se malazezi është një figurë në Shkodër dhe se do sjellë eksperiencën e tij në skuadër.

Shimaj tha: “Sot nisëm përgatitjet për sezonin e ri dhe është vetëm fillimi. Skuadra do marrë formën nga dita në ditë dhe nga java në javë, ku tashmë do merret ritmi i duhur dhe që kërkohet në nisje të kampionatit.

Risia? Po është vërtetë që tashmë do kemi në mesin tonë një trajner të mirënjohur si Dervish Haxhiosmanoviç. Një figurë e njohur në Shkodër dhe një trajner kampion. Uroj që të sjellë eksperiencën e tij dhe personalitetin që e ka karakterizuar gjithmonë. Është një “goditje” besoj për ne, ku tashmë presim edhe kompletimin me futbollistë. Teksa kemi afruar edhe disa lojtarë të njohur të cilët do zyrtarizohen në ditët e ardhshme”.