Nga Maringlen ZHIVANI

Ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë duket se po përballet me një situatë tepër të vështirë dhe me shumë pasiguri për të ardhmen. Deri më sot, nuk ka asnjë sinjal zyrtar për nisjen e përgatitjeve, nuk ka trajner të emëruar dhe asnjë stërvitje nuk është zhvilluar.

Burime pranë klubit thonë se presidenti aktual Aleksandër Leqejza nuk është duke u marrë drejtpërdrejt me ekipin, ndërsa mungon komunikimi edhe me drejtuesit e tjerë.

Edhe tentativat për të marrë informacione nga njerëz pranë ekipit rezultojnë pa përgjigje konkrete. Në këtë situatë, ekziston rreziku real që Vllaznia të mos marrë pjesë në kampionatin e këtij sezoni, pasi afatet e federimeve po afrojnë dhe nuk është bërë asnjë lëvizje për të ndërtuar një skuadër konkurruese.

Madje, nga sa mësohet, mund të shihet si opsion edhe përfshirja e moshave të reja në vend të ekipit të parë, duke qenë se pritshmëritë për rezultate mungojnë. Vjet në këtë periudhë, drejtuesit kishin dhënë të paktën sinjale të qarta për formimin e skuadrës, ndërsa këtë vit mbizotëron heshtja totale.

Kjo ka shtuar dyshimet se ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë mund të shkojë drejt shkrirjes ose të mos marrë pjesë në kampionat, çka do të ishte një goditje e madhe për sportin shkodran.(www.shkodrasport.com)