Nga Endri ÇINARI

Porta duket se është reparti rreth të cilit sillen më shumë dyshime tek Vllaznia para nisjes së kampionatit. Kështu ardhja e Leon Phols, duket se ka “trazuar” disi ujërat për një vend titullari në katërkëndorin kuqeblu. Dhe në stafin teknik ende nuk janë të bindur në 100% për t’i besuar “çelësat” e portës 28-vjeçarit gjerman. Kjo nisur edhe nga performancat e tij aspak bindëse në miqësoret që Vllaznia ka realizuar në javët e fundit kundër Laçit, Kukësit dhe Besës.

Kjo pasi ish-portieri i Shamrok Rovers ka gabuar disa herë në ndeshjet e sipër përmendura. Duke sjellë shumë pikë pyetje rreth nivelit dhe formës së tij sportive. E cila duket se nuk është idealja për momentin, e në këtë mënyrë shtatlarti ende nuk ka bindur në 100%. Kështu pas “dere” duket se pret Aron Jukaj, portieri 20-vjeçar i Vllaznisë, i cili në gjysmën e sezonit të shkuar ishte titullar i shkodranëve. Madje duke u konsideruar si një prej talenteve të edicionit të shkuar në elitën e futbollit tonë.

Shkodrani po ashtu u paraqit titullar edhe në takimin dysh të turit të dytë të Conference League ndaj Vikingur. Ku ndaj islandezëve performanca e tij ishte e një niveli për t’u duartrokitur, duke qenë nga të paktit e formacionit kuqeblu për të cilin nuk kishte kritika.

Kështu se kush do mbrojë portën e Vllaznisë në ndeshjen debutuese ndaj Egnatias do ngelet një “mister” deri të premten pasdite. Ku rivaliteti duket i “fortë” mes Phols dhe Jukajt për të siguruar një fanellë titullari në katërkëndorin e portës kuqeblu.(www.shkodrasport.com)