Atletika shkodrane ka dhuruar në vite shumë tituj kampionë, shumë emra sportistesh e sportistësh kampionë e rekordmenë. Madje vazhdon të nxjerrë edhe tashmë. Megjithatë, ata që kanë shkuar historinë në vitet e hershme të saj, sigurisht që kanë vlera të mëdha. Për vetë kushtet e vështira në të cilët janë stërvitur por kjo nuk i pengoi që të jenë kampionë dhe rekordmenë. Nëse flasim për atletikën e femrave, tek Vllaznia kuptohet që nuk mund të qëndrosh pa u ndalur tek “epoka e artë” e periudhë së “zotni Fetit” bashkë me sportistet e tij të paharruara që arritën suksese të cilat nuk janë përsëritur më asnjëherë që prej asaj periudhe. Njëra nga to, ka qenë padyshim Adile Dani. Një atlete e madhe e cila ka lënë gjurmë në këtë sport që jo më kot konsiderohet “mbretëreshë”.


Adilja ka lindur në Shkodër më 16 prill 1948, në lagjen “Ndocej” e cila ka nxjerrë sportistë dhe sportdashës të mrekullueshëm. Ajo e ka nisur sportin që në moshë të vogël por në vitet e mëvonshme do të linte gjurmë me rezultatet e saj. Në vitet 1965-72 do të thyente 5 herë rekordin e garës së 400 metrave duke i ulur shifrat e saj nga 60″2 në 58″6. Por jo vetëm kaq. Do të thyente 5 herë edhe rekordin e garës së 800 metrave duke i ulur shifrat nga 2’20″3 në 2’13″3. Po 5 herë do të thyente edhe rekordin e garës së 1500 metrave ku rezultatin më të mirë e ka arritur në vitin 1968 me kohën 4’50″00.
Adile Dani do të fitonte medaljen e artë në krosin Ballkanik për të reja në vitin 1966, aty ku edhe ekipi shqiptar doli i pari. Ka marrë pjesë në shumë evenimente të atletikës si në Budapest, Kinë, Bullgari etj, duke thyer në to me dhjetëra rekorde. Mban disa tituj, atë ‘Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Heroinë e Sportit”, “Nderi i sportit shqiptar” dhe po ashtu edhe çmimin “Palok Nika”. Tituj këto që i meriton plotësisht sepse në karrierën e saj ka arritur të fitojë me dhjetëra tituj e rekorde. Pa lënë kurrsesi mënjanë medaljet e shumta, tre arit dhe 97 bronzit. Të gjithë këto suksese ajo gjithmonë ia ka dedikuar trajnerit të saj, të mirënjohurit Feti Dizdari dhe në fakt, jo vetëm ajo por gjithë ai brez i artë i sportisteve të atyre viteve të cilat kanë nderuar veten, klubin Vllaznia dhe Shkodrën me sukseset e shumta që kanë arritur.

Gjergj KOLA