Në fund të dhjetorit të dy viteve më parë, Presidenti i Republikës vlerësoi me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, pjesëtarët e ekipit të Partizanit në basketboll për meshkuj, të vitit 1968, të cilët u përballën në Kupën e Kampioneve me skuadrën italiane të Oransodës. Ky vlerësim vinte në kuadër të 50-vjetorit të kësaj ndeshjeje, e cila la mbresa të mëdha për kohën.

Në këtë ceremoni vlerësimi duhej të ishte dhe një basketbollist që ka qenë protagonist në të dy takimet ndaj Oransodës, lojtari më i gjatë i basketbollit të atyre viteve, Agim Lahi, 195 centimetër i lartë. Edhe pse ai u ftua si ndihmë nga Vllaznia e asaj kohe, Lahi ka kontributin e tij në atë takim dhe e meritonte këtë vlerësim. Gjithsesi, përtej kësaj, gazeta “Sot” intervistoi Lahin, një nga më të spikaturit e basketbollit midis viteve 1961-1975.

Ai ka luajtur me skuadrat e 17 Nëntorit, Vllaznisë dhe Studentit, si dhe me ekipin kombëtar, në një periudhë kur basketbolli në Shqipëri pati një shpërthim të madh dhe afroi në pallatet e sportit mijëra spektatorë. Kanë mjaftuar pak ndeshje, veçmas ajo ndaj Jugosllavisë në kuadër të Kampionatit Ballkanik, apo dhe dueli i Partizanit me Oransodën, që këto takime të hynin në histori dhe sportistët e asaj kohe të gëzonin në shoqëri një respekt të madh. Në këtë intervistë Lahi tregon për emocionet, sukseset dhe privilegjet që të ofronte basketbolli i kohës.

-Në çfarë rrethanash i hytë sportit dhe si rrodhën ngjarjet që u përfshitë me Tiranën e atyre viteve?

-Unë kam patur një veçanti fizike për kohën, sepse në moshën 14-vjeçare isha 188 cm i gjatë (ky fenomen sot është i zakonshëm). Në vitin 1955, kur isha 13 vjeç, nisa shkollën e mesme të Teknikumit të Ndërtimit. Për shansin tim të mirë mësues të edukimit fizik kam pasur z.Esat Belliu, portierin e Dinamos, dhe zotin Pëllumb Pelivani, volejbollist i Kombëtares, të cilët në orën e mësimit më shumë na bënin lojëra me top dhe si i gjatë më kanë shtyrë që të merrem me basketboll. Një fjalë e urtë thotë “aventurën mos e kërko, por rastit mos ju ndaj”. Dhe unë rastit nuk iu ndava, por iu kushtova me vetëmohim. U aktivizova me ekipin e shkollës dhe më vonë me ekipet e të rinjve të Tiranës.

Kur mbarova shkollën fillova punë në ndërmarrjen gjeologjike. Kjo më dha mundësinë të shëtisja nëpër Shqipëri dhe të shijoj një dimension tjetër të natyrës. Por edhe pse nisa punë unë nuk e lashë sportin. Në periudhën e dimrit, që punën e kisha në zyrë, u aktivizova në ekipet e të rinjve të Tiranës. Fillimisht me trajner Nexhmi Kadiun dhe në veçanti me trajnerin Qemal Shalsi, i cili ishte mësues i edukimit fizik tek Politeknikumi Mjekësor dhe unë shkoja shpesh në palestrën e shkollës dhe nën kujdesin e tij ushtroja përgatitje me vegla.

Një ndihmesë të madhe që unë të vazhdoj sportin është dhe transferimi nga ndërmarrja gjeologjike tek ndërmarrja komunale në Tiranë, kjo me kujdesin e trajnerit Feti Borova dhe z.Lame Konomi në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës. Pikërisht atëherë nisa aktivitetin tim me ekipin e parë të Tiranës (17 Nëntorit). Isha 18 vjeç dhe 195 cm i gjatë, në atë kohë isha basketbollisti më i gjatë. Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua kur më fusnin në lojë për pak kohë, sepse kjo më jepte adrenalinë dhe më motivonte të punoja më shumë.

Në vitin 1961, ndeshemi për Kupën e Republikës në finale me Partizanin, ku u aktivizova në pesëshen e parë. Kjo ishte një shtysë e madhe për mua, ndërsa në vijim rrugëtimi im në basketboll ishte krejt i natyrshëm. Në vjeshtën e vitit 1961 kam filluar studimet e larta në UT, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilin e përfundova në vitin 1966.

-Cila ishte gjendja e klubeve në atë periudhë dhe niveli i basketbollit në tërësi?

-Rivaliteti ka qenë shumë i madh, sidomos në kryeqytet midis Tiranës dhe Partizanit, por më vonë edhe Dinamos e Studentit. Këtij rivaliteti në kryeqytet i shtohej edhe niveli cilësor i basketbollit në Shkodër dhe në Durrës, kurse qytetet e tjera kanë qenë më dobët. Prej atyre viteve e deri në vijim në vitin 1990 basketbolli erdhi duke u fuqizuar, por unë mund të them se midis 1960-1980 në Shqipëri u zhvillua një basketboll modern për kohën.

Në vitin 1962, Tirana kishte një grup 20-vjeçarësh që ishin bërthamë e skuadrës si Vaso Shaka (20 vjeç), Agim Lahi (20), Bujar Shehu (21), Filip Guraziu (19), Renato Radoja dhe Kosta Papa (21), si dhe duke mos harruar sportistët me eksperiencë si Dhimitër Papa, Boris Bumçi etj. Më vonë tek Tirana u aktivizuan lojtarë me eksperiencë si K.Kasmi, P.Koleka, R.Avrami, N.Shkurti, R.Topalli, F.Borova etj. Me ekipin e 17 Nëntorit (sot Tirana) kam luajtur 6 vjet (1961-1966), ku kam fituar 4 tituj kampionë. Ruaj kujtimet më të bukura në kohën që kam luajtur me këtë skuadër dhe sot jam një fans i saj.

-Si ka qenë trajtimi i sportistëve në ato vite?

-Të gjithë sportistët ishin të njohur dhe të dashur për publikun. I mirëprisnin dhe i respektonin. Opinioni i tyre ishte mjaft i mirë, veçanërisht për basketbollistët. Mund të them se ishim të privilegjuar, jo nga ana materiale, por shoqërore.

Në përfundim të studimeve në vitin 1966 u emërova inxhinier në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe më vonë në zyrën e projektimit pranë Komitetit Ekzekutiv Shkodër. Jam aktivizuar me ekipin e Vllaznisë së Shkodrës, duke fituar një kampionat dhe një kupë republike. Ekipi shkodran kishte lojtarë cilësorë si R.Radoja, L.Shatku, F.Guraziu, S.Osmani, P.Osmani, Z.Çoba, A.Gjyrezi etj. Në Shkodër kam qenë i respektuar.

Në vitin 1969 jam emëruar si pedagog në UT të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Në këtë periudhë jam aktivizuar me ekipin e Studentit dhe kam nostalgji për harmoninë dhe kënaqësinë e aktivizimit me lojtarë si Niko Profkola dhe Gjergj Ikonomi.

-Ju thatë që krijohej atmosferë mes tifozëve, por ishte një tifozeri ndryshe nga ultrasit e sotëm, apo jo?

-Ka pasur një tifozeri të zjarrtë që e ndiqte ekipin me shumë emocion. Madje na respektonin edhe tifozët kundërshtarë. Ata nuk të lavdëronin, sepse secili dëshiron të fitojë ekipi i vet, por nuk kishte përplasje. Sidomos në Tiranë tifozët e ndiqnin ndeshjen së bashku, nuk ishin të ndarë, dhe bënin tifo sipas preferencave. Komunikimi me tifozët ka qenë mjaft i mirë, na ndalonin në rrugë, na jepnin kurajë.

Por kishte dhe raste kur tifozët na ndalonin dhe na shprehnin “indinjatën” e tyre për nivelin tonë jo të mirë, siç ndodhi gjatë vitit 1964. “Jeni bërë që s’shiheni më me sy”, më tha një tifoz. I thashë që skuadra jo gjithmonë fiton, secili ekip ka kurbën e tij. Por ai na donte të fitonim përherë me nga 20 pikë ndaj rivalëve.

-Cili është kulminacioni i karrierës tuaj?

-Ka pasur disa pika kulmore. Njëra ishte finalja e kupës së kampionatit midis Tiranës dhe Vllaznisë, në vitin 1965, ku fitoi Tirana me 11 pikë. Pika të tjera kulmore kanë qenë Festivali i Helsinkit, në vitin 1962, ku zumë vendin e parë, por edhe Ballkaniada (1965), apo dy duelet me Oransodën (1968-1969).

-Si paraqitej stërvitja, teknika dhe taktika e lojës së atyre viteve?

Tirana bënte shumë stërvitje, sepse Feti Borova, ky personalitet i basketbollit shqiptar, njeriu që më ka ndihmuar shumë, i jepte rëndësi të madhe përgatitjes. Çdo ditë bënim minimalisht 2 orë stërvitje, por kur përgatiteshim për Ballkaniadën jemi stërvitur edhe 5 orë në ditë.

-Ballkaniada ka bërë jehonë në atë kohë…

-Është zhvilluar në Tiranë në vitin 1965, me pjesëmarrjen e 5 vendeve, sepse mungoi Greqia dhe, për nevojat e garës, Shqipëria krijoi dy skuadra. Aktivitetin e fitoi Jugosllavia që na mundi me 3 pikë diferencë. Publiku ka qenë i jashtëzakonshëm, mund ta cilësoj një “kazan që vlonte”. Të hyje në pallat të sportit ishte shumë e vështirë dhe janë bërë marifete për të pasur një mundësi ta shihnin ndeshjen nga afër. Nuk kishe ku hidhje kokrrën e mollës. Në atë periudhë të gjitha ndeshjet e rëndësishme e mbushnin stadiumin, por veçanërisht gjatë Ballkaniadës ka qenë një publik i paparë, një entuziazëm i rrallë.


-Është dhe dueli i Partizanit me Oransodën. Si ndodhi që u bëtë pjesë e Partizanit atë vit?

-Partizani fitoi kampionatin dhe iu dha e drejta të luante në Kupën e Kampioneve. Në kuadër të përballjes me Oransodën, Partizani mori dy lojtarë nga ekipet e tjera, mua nga Vllaznia dhe Kasmin nga Tirana. Trajneri Astrit Greva na bëri një përgatitje të jashtëzakonshme, ku u kujdes edhe për detajet më të vogla. Në ato takime kam qenë zëvendësues i Nikolin Palit.

Në Tiranë luajta më pak, kurse atje (në fushën e Oransodës) luajta më shumë. Kujtoj që në ndeshjet ndaj Oransodës ka shkëlqyer në veçanti Agim Fagu. Ndeshja me Oransodën ka qenë ndër më mbresëlënëset që kemi zhvilluar, unë do ta quaja “qershia mbi tortë” e basketbollit shqiptar. Kundërshtarët kishin kualitet dhe ishin shtatlartë, kështu që ne bëmë ndryshime taktike, duke krijuar zhdërvjelltësi, shpejtësi dhe saktësi.

-Nga vinte gjithë ai frymëzim në basketbollin e atyre viteve?

-Vetëm dëshira për të luajtur, sepse nuk kishte asnjë interes tjetër. Kurse sot basketbollin e mbajnë në këmbë interesa të tjera. Ai që ndryshonte ekip në atë kohë e shanin, sepse fansat ishin të lidhur me fanellën, kurse sot është gjë normale. Kur kishte ndeshje kryesore të kampionatit kombëtar dhe ato ndërkombëtare ishte festë në Tiranë dhe stadiumet mbusheshin plot e për plot me tifozë.

-A mund t’i cilësojmë ato vite si periudhën e artë të basketbollit shqiptar?

-Çdo kohë ka brezat, shkëlqimin, emocionet, lojtarët, taktikën dhe arritjet e veta. Unë mund të përmend këtu dhe suksesin ndërkombëtar që patëm në Festivalin e Rinisë në Helsinki, ku zumë vendin e parë. Ka qenë një ekip fantastik si M.Përmeti, A.Lahi, B.Shehu, F.Qirici,V.Shako, R.Radoja, K.Papa. Z. Çoba.


-A e ndiqni basketbollin shqiptar sot dhe si ju duket niveli i tij?

-Sot ka shumë pak spektatorë dhe kjo jo vetëm për nivelin që nuk jep emocion, por informacioni lë për të dëshiruar. Kam mendimin që drejtuesit e gazetarisë sportive “sport” quajnë vetëm futbollin, të çfarëdo kategorie, meqenëse sportet e tjera quhen basketboll, volejboll etj. Një gazetë sportive duhet të ketë minimumi një faqe lojëra. Gjithashtu, gjatë një ndeshje ka dy protagonistë, që janë lojtarët dhe tifozët.

Për këta të fundit ekrani nuk interesohet, ndërkohë që mungojnë disa detaje edhe në vendosjen e kamerës, e cila duhet të ketë fushëpamje ndaj sekretarisë dhe tribunës së spektatorëve. Shtatlartësia tani është përmirësuar, pra në disa aspekte ka arritje. Të rinjtë nuk duhet të harrojnë se në 10 pikë gjithsej një e ngjit talenti, 9 të tjera i ngjit puna.
Intervistoi: Adriatik BALLA