Nga Endri ÇINARI
Akademia Vllaznia ka qenë një “minierë ari” ndër vite për skuadrën e parë të kuqebluve. Ku emra të rëndësishëm të shkodranëve, por edhe futbollit kombëtar janë zhvilluar në atë akademi. Me futbollistë të ndryshëm të cilët më pas u bënë shumë të njohur duke dhënë kontributin për ekipin e parë të shkodranëve dhe jo vetëm. Por, përveç formimit të elementëve cilësor, akademia në vitet e fundit është shndërruar në një “burim” financiar për klubin.
Kështu në dy merkatot e fundit verore nga shitja e futbollistëve të prodhuar nga akademia Vllaznis, klubi ka përfituar një shifër prej mbi 650 mijë eurosh. I fundit talent që u shit nga Vllaznia drejt CSKA Sofia ishte Kevin Dodaj, me sulmuesin që vetëm pas një sezoni si protagonist me shkodranët u transferua në Bullgari, për një shifër që i sipas raportimeve i kalon 450 mijë euro. Duke qenë kështu lojtari më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë nga Vllaznia gjatë gjithë historisë.
Parq tij, gjatë merkatos së verës së shkuar ishin dy futbollistë të tjerë të prodhuar nga akademia Vllaznia që u shitën jashtë Shqipërisë. Fjala është për Geralb Smajlin i cili u transferua tek Ballkani në Kosovë për çmimin e 100 mijë eurove dhe Rejan Alivoda, që la shkodranët për Ittihad Kalba në Emiratet Arabe po për shifrën e 100 mijë eurove. Në total një shifër prej 650 mijë eurosh plus në arkat e klubit shkodran në harkun kohor të një viti.
Një “mësim” i nxjerrë ku nga drejtuesit e klubit shkodran, të cilët po i japin mundësinë elementit të ri. Në mënyrë që jo vetëm për të përfituar në fushë nga kontributi i tyre, por edhe në merkato. Me shkodranët që edhe këtë sezon duket se kanë një politikë përkrahjeje për të tjerë futbollistë të talentuar që militojnë në skuadër.(www.shkodrasport.com)