Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Ballkanik 2024 të boksit, kompeticion i zhvilluar në Loznica të Serbisë. Përfaqësuesja kuqezi në këtë aktivitet formohej nga nëntë boksierë, të cilët konkurruan në kategoritë për të rritur (2), për të rinj (2) dhe për junior (5). Alban Beqiri shënoi një tjetër rezultat të madh, duke u shpallur për herë të dytë në karrierë kampion i Ballkanit, duke triumfuar në kategorinë e peshave 71 kg.

Beqiri, i cili mban edhe rezultatin më të lartë ndërkombëtar në historinë e boksit shqiptar, si i vetmi medalist në një botëror për të rritur, tregoi një formë të shkëlqyer duke fituar tri duele në Ballkanik, për t’u shpallur kampion.

Për të rritur shkëlqeu edhe Kris Bushi, i cili fitoi medalje argjendi në peshat 63.5 kg. Ndërsa duke kaluar te moshat, rezultatin më të lartë e arriti Besian Karaj, i cili fiti medalje ari, duke u shpallur kampion i Ballkanit në kategorinë e peshave 71 kg për të rinj.

Stiven Xixi regjistroi medalje bronzi për të rinj në peshat 54 kg. Te kategoria e juniorëve, Kristian Jubani mori medalje argjendi në peshat 48 kg, ndërsa Riduan Gashi (66 kg), Jurgen Lazri (63 kg) dhe Ardit Deliu (50 kg) morën medalje të bronzta. Vendi i pestë për Jurgen Tresën në kategorinë e peshave 70 kg.

Siç shikohet, pjese e medalisteve jane edhe dy boksieret shkodrane qe perfaqesojne ekipin e Terbunit, Kristian Jubani qe ka marre medalje argjendi ne kete aktivitet si dhe Jurgen Lazri qe eshte nderuar me medaljen e bronzte./www.shkodrasport.com/