Nga Gjergj KOLA

Atletika shkodrane po vijon një rrugë të suksesshme duke fituar çdo trofe të mundshëm dhe me çdo grupmoshë, duke qenë vërtetë “mbretëresha” e sporteve të ekipeve të Vllaznisë. Sukseset e sotme në fakt e kanë një bazë nga kanë nisur, pikërisht nga një riorganizim i shkëlqyer që iu bë këtij sporti nga një personazh i njohur si Gëzim Mema, këtu e 44 vjet më parë.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 5 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta (23 qershor 2020). Profesor Gëzimi iku shpejt, kur kishte shumë për të dhënë për sportin dhe sidomos ndoshta për historinë e tij sepse ishte një pasionant i madh i saj. Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta është momenti i duhur për ta sjellë sërish në epiqendër këtë figurë që i ka bërë nder Shkodrës me punën dhe sukseset e tij.

Po kush është Gëzim Mema?

Ka lindur në Shkodër më 17 shtator 1946 dhe që në rininë e tij do t’i përkushtohej sportit të atletikës, përveçse do të punonte për vite me rradhë edhe si mësues. Karriera e tij si sportist nuk ka qenë në nivele të larta, megjithatë shkëlqimin e tij të madh do ta kishte në rolin e trajnerit.

Është emëruar kryetrajner i atletikës në Klubin Vllaznia në vitin 1981, në një periudhë të vështirë për këtë sport në Shkodër kur gjen në ekip vetëm 4 sportistë dhe në vendin e fundit në kampionat. Brenda një kohe të shkurtër ka arritur të ketë në pistë plot 150 vajza dhe 250 djem, të cilet stërviteshin nga 25 trajnerë.

Si rrjedhoje do të vinin edhe sukseset e njëpasnjëshme. Gëzim Mema ka mbajtur për 23 vite detyrën e kryetrajnereit të atletikës, ku më pas kanë ardhur edhe shumë tituj kampion, kupa Republike e trofe të tjerë të fituar nga ekipi i Vllaznisë që filloi dominimin në atletikën shkodrane, dominim që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ndërkohë pas viteve ’90 ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Zyrës së Sportit në Bashkinë Shkodër ndërsa nga viti 2000 dhe deri më 2013 ka qenë drejtor i Sportklub Vllaznia. Sukseset edhe në këtë detyrë kanë qenë të shumta derisa ky klub për disa vite rresht është vlerësuar si më i miri në Shqipëri.

Per kontributin e tij te madh si trajner i atletikës, Bashkia Shkoder me rastin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia, e shpalli atë “Trajner të Shekullit”. Një vlerësim mëse i merituar për atë çka ai ka dhënë për atletikën shkodrane dhe shqiptare, kur kujtojmë se për shumë vite Gëzim Mema ka qenë edhe trajner i ekipit tonë kombëtar. Nga duart e tij kanë dalë shumë kampionë e rekordmenë të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti dhe padyshim që të gjithë ata i janë mirënjohës punës së këtij trajneri me to gjatë viteve.(www.shkodrasport.com)