Nga Maringlen ZHIVANI

Futbollisti kosovar Kastriot Selmani do të jetë pjesë e Egnatias për pjesën në vazhdim të karrierës së tij. 25-vjeçari ka lënë Kosovën për t’u bashkuar me skuadrën e Egnatias, ekipin që u shpall kampion në Abissnet Superiore sezonin e kaluar.

Sulmuesi kosovar do të ketë përfitime financiare të konsiderueshme me kontratën që do të zgjasë dy vite. Një lëvizje e rëndësishme kjo për Selmanin, ku pas eksperiencave në Kosovë, ai transferohet në Shqipëri.

Kjo lëvizje ka ardhur edhe si rrjedhojë e punës së menaxherit, Alsid Tafili. Ish-mesfushori i Vllaznisë, tashmë me një rol të ri në karrierën e tij, ka realizuar transferimin e rradhës.

Tafili në këtë mënyrë ka bërë të mundur këtë lëvizje. Pas lëvizjeve që zhvilloi në janar, tashmë Tafili duket shumë aktiv edhe në këtë periudhë. Patjetër, kjo lëvizje është e rëndësishme si për karrierën e Selmanit, por edhe për Tafilin dhe bashkëpunëtorët e tij që dalëngadalë po bëhen protagonistë në botën e menaxhimit.

Megjithatë, puna e tyre duket se nuk do të ndalet me kaq, pasi lëvizje të tjera të rëndësishme priten për futbollistët, të cilët Tafili i ka në menaxhim.

Kujtojmë që, edhe tek Vllaznia ai ka në menaxhim një prej futbollistëve më të mirë të kampionatit, siç është Esat Mala apo edhe emra të tjerë si Gledjan Pusi dhe Renato Malota tek Egnatia. Tashmë, në të ardhmen, Alsid Tafili dhe bashkëpunëtorët e tij po përgatiten për lëvizjet e rradhës.