Dënimi që UEFA i dha Skënderbeut duke e përjashtuar me 10 vite nga çdo kompeticion europian, ishte një goditje e madhe për futbollin shqiptar, duke qenë se klubi korçar bëhet ndër klubet më të dënuara në histori.

Shumë analistë dhe kritikë kanë kërkuar që skuadra të zbritet nga Kategoria, ndërkohë që i një mendimi tjetër është analisti i njohur Afrim Kransiqi.

Nëpërmjet një analize në rrjetin social “Facebook”, Kransiqi shprehet se klubi i Skënderbeut po baltos imazhin e heroit tonë Kombëtar, duke qenë se mjafton një hulumtim në internet, për të kuptuar se imazhi i heroit po merr një kuptim tjetër.

Si zgjidhje për këtë çështje, Krasniqi sheh vetëm mundësinë për të ndryshuar emrin e skuadrës, duke i dhënë edhe disa emra të tjerë alternativë.

“Shqipëria zyrtarisht është ende “në vitin e Skënderbeut”. Bëhet fjalë për Gjergj Kastriotin e viteve 1405-1468 që ne kemi simbol i shoqëri, shtet e komb, – arbrin e famshëm për të cilin ka më shumë studime e botime të huaja sesa për çdo shqiptar tjetër në histori,

– për simbolin e krijimit të shtetit, identitetit dhe orientimit evropian të shqiptarëve, – për njeriun që nderohet sot me buste, sheshe e monumente në 29 shtete të ndryshme të botës. Ky pra është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ynë që duhet të nderonim, dhe përmes nderimit, duhej të tregonim se e meritojmë kujtimin e trashëgiminë e tij.

Duke hulumtuar raportimet 2017-2018 në mediet ndërkombëtare mbi figurën e Skënderbeut, gjen të papriturën dhe turpin e madh që të gjithë e kemi parasysh dhe nuk e shohim, nuk e ndjejmë dhe për të cilin as nuk mund të flasim.

Lajm dominues mbetet vendimi i UEFA për dënimin e Klubit të Futbollit “Skënderbeu” (http://ëëë.insideëorldfootball.com/…/matchfixing-skenderbe…/), lajm që gjendet në çdo media të rëndësishme perëndimore e rajonale. Çfarë lidhje ka Skënderbeu i madh i Kuvendit të Lezhës me Skënderbeun e llotove dhe oligarkëve të tjerë të biznesit sportiv në Shqipëri?

Asnjë. Përse duhet që emri i madh të baltoset kaq shumë dhe kaq banalisht nga matrapazët e sportit? Përse qytetarët e Korçës, këshilli bashkiak, FSHF dhe edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duhet të mbyllin sy e veshë duke toleruar një poshtërim kaq banal të simbolit, emrit dhe domethënies që ka për ne Gjergj – Kastrioti (Skënderbeu) i pafajshëm?

Zgjidhja është dhe mbetet vetëm një: në momentin kur çështja mori trajtim institucional, do të duhej që adhuruesit e shtetit, ligjit, moralit, historisë dhe identitetit, – të ngrinin zërin dhe të bënin ndarjen e menjëhershme zyrtare dhe publike të Skënderbeut nga ekipi i 20 -30 punëtorëve të topit të krijuar nga koalicioni korruptiv i pushtetit të djeshëm dhe të sotëm politik e financiar.

Le ta quajnë FK Takaj apo FK Bode, FK Zeqo apo FK Filo, le të sheshin e të blejnë gola e birra, redbull apo kasa fiskale, apartamente në bregdet apo vila turistike, siç kanë bëre e vijojnë të bëjnë edhe shumica e ekipeve të “suksesshme” të tranzicionit në Shqipëri; le të organizojnë festa e mitingje në rrugë; le ta përdorin si të duan, por as ata dhe askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e simbolit kombëtar për asnjë formë trafikimi, fitimi, abuzimi dhe krimi.

Kjo aventurë duhet të marrë përgjigje zyrtare dhe të ndalet sa më parë. Me forcën e ligjit, moralit, qytetarisë dhe sensin e shtetit. Sa më parë, aq më shpejt. Për këtë ia vlen edhe një ligj në parlament, edhe një vendim konsensual në këshillin bashkiak Korçë, edhe një akt normativ i qeverisë, edhe shumë më tepër sesa kaq.

Nëse nuk jemi të aftë ta nderojmë sa e si duhet, të paktën brezat e sotëm kanë detyrimin të mos e dëmtojmë imazhin dhe emrin e tij, të mos e baltosim me gabimet e fajet tona të vjetra e të reja, – ta “çlirojmë” Gjergjin nga turpi dhe denigrimi që i kemi bërë indirekt në raportimet e në mediet perëndimore,- pra minimalisht të mos sillemi me të njësoj si Sulltanët pushtues/ asimilues që pasuan ndarjen e tij nga jeta”, shkruhej në analizën e Krasniqit. /Vipsport/