Nga Maringlen ZHIVANI

Tefik Osmani dhe Alban Xhaferi janë shfaqur sot në “Air Albania” për të ndjekur nga afër derbin mes Tiranës dhe Partizanit, i vlefshëm për javën e 33-të në Superiore.

Diku më poshtë tyre ka qenë edhe trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç bashkë me sekretarin e klubit Blendi Dibra. Të gjithë ato kanë zgjedhur ta ndjekin nga afër këtë takim emocionues, që u fitua nga të kuqtë.

Në fakt, duke qenë se Vllaznia do të ndeshet pas dy javësh me Tiranën, por edhe se Partizani mund të jetë një kundërshtar i fortë në garën për titull në “Final Four”, duket se kanë sjellë në “Air Albania” presidentin Xhaferi dhe gjithë stafin e tij.

Ata, menjëherë pas ndeshjes së luajtur në Rrogozhinë ndaj Egnatias, kanë marrë rrugën drejt Tiranës, aty ku ndoqën nga afër derbin Tirana-Partizani, që u fitua nga skuadra e Orges Shehit me rezultatin 2-1. Kujtojmë që, javën e ardhshme Vllaznia do të luajë ndaj Dinamos në Shkodër, ndërsa më pas e pret transferta me Tiranën, e cila me gjasa do të luhet në “Air Albania Stadium”.