Ish- trajneri i njohur Neptun Bajko ne nje interviste per median e shkruar eshte ndalur edhe tek finalja e kampionatit Vllaznia- Egnatia qe u fitua nga kjo e fundit me rezultatin e thelle 4-0. Ai nder te tjera eshte shprehur se rrogozhinasit kane merituar gjithçka dhe prandaj nuk ka vendim per diskutime te tjera.
“Po, mendoj se titullin kampion e fitoi ekipi më i mirë, Egnatia. Është një skuadër e ndërtuar shumë mirë nga ana profesionale dhe tekniko-taktike, me lojtarë me cilësi mjaft të mira, me një vendosje shumë të mirë në fushën e lojës. Një ekip, që di ta zotërojë lojën si në tokë, ashtu edhe në ajër. Ka lëvizshmëri të mirë dhe disa lojtarë i japin një ritëm dhe lartësi tamam të një ekipi kampion. Mendoj se suksesi në këtë aspekt është bashkëpunimi i mirë mes trajnerit dhe stafit teknik me presidentin dhe njerëzit që punojnë krah tij. Çelësi i suksesit është bashkëpunimi i këtyre elementeve të rëndësishme në futboll.
E para, Egnatia e kishte këtë ndeshje më të lehtë në aspektin psikologjik, sepse e kishte fituar një vit më parë. E dyta, Egnatia gjatë gjithë ecurisë së kampionatit e ngrinte nivelin e lojës kur i duhej dhe kur mendonte se kjo ishte gjëja më e mirë. E treta, është morali, mentaliteti dhe psikologjia e ndryshimit, që mendoj se bëri më shumë diferencën.
Vllaznia u duk sikur në këtë aspekt kishte bërë ndryshim të mirë dhe do ta përballonte finalen, por pësimi i golit dhe kalimi i minutave tregoi se kishte vështirësi të ruante ritmin dhe të vepronte qetë. Ishte gjithnjë një skuadër në alarm dhe shumë e nxituar. Ndryshe ndodhte me Egnatian, shumë ekip i qetë, që dinte çfarë bënte dhe kur e bënte. Ajo që vendosi ishte loja kolektive e gjithë ekipit.
Vllaznia megjithatë ngelet një ekip i punuar mirë, me trajnerin, që bëri gjithçka për të marrë maksimumin. Ka një ambient entuziast, deri diku edhe euforik, por nga ana profesionale, duhet që edhe Vllaznia të furnizohet me elemente të rinj për ta ngritur më lart nivelin. Unë nuk kam dyshim te puna e trajnerit, por finalja tregoi se ka shumë për të bërë”- është shprehur Bajko.