Opinion nga ERVIN BAKU

UEFA shpalli dje një tjetër vendim të pastër politik duke çertifikuar kështu “udhëzimin” dhe “porosinë” e kreut të saj Mishel Platini. Të gjithë ishim në pritje të drejtësisë. Të gjithë besonim te drejtësia e qeverisë së futbollit europian.

Më kot. UEFA çertifikoi dje dhunën dhe racizmin kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Komisioni i Apelit i UEFA-s, i mbledhur dje në Nion të Zvicrës, në lidhje me apelimin e vendimit të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, për ndeshjen Serbi- Shqipëri të 14 tetorit, të ndërprerë në minutën e 41-të, vendosi të lërë në fuqi gjithçka që vendosi Komisioni i mëparshëm. Në muajin nëntor Shqipëria zhvilloi dy miqësore, në Francë dhe Itali. Tifozët e saj i treguan botës mbarë që janë qytetarë të denjë europianë dhe dinë të sillen si të tillë në tribunat e stadiumeve që vizitojnë. Sjellja e tifozëve shqiptarë në Renë dhe Xhenova ishte lobingu më i mirë i mundshëm që mund të bënte Shqipëria. Por nuk paska qenë e thënë. Ta pranojmë dhe ta themi troç: Jemi shumë të vegjël. Dhe menjëherë më vjen në mendje, “më mirë ashtu se i vogël”. Sikur atmosferën ekstremisht të dhunshme dhe ngjarjet në mënyrë të pakthyeshme t’i përjetonin kombëtaret e Francës, Italisë, Gjermanisë apo Spanjës, Serbia do të përjashtohej menjëherë nga eliminatoret e EURO 2016. Shqipëria luajti pa tifozë në Beograd dhe humbi ndeshjen në tavolinë. Ky është kulmi i kulmit të padrejtësisë. Humbi se nuk u kthye në fushën e lojës. E kam thënë, vendimi për të mos luajtur nuk ishte një vendim që e morën futbollistët tanë. Ata nuk mund dhe nuk duhet të pendohen për një vendim që s’e morën. Ishte një pamundësi reale për të vazhduar dhe për të luajtur. Po nuk do merrem edhe unë me sikur, ashtu siç u mor Mishel Platini. Që u bë gazi i botës, në Francë dhe gjetkë. U bë gazi i botës, por qëllimin e arriti. Foli dhe u deklarua hapur në favor të Serbisë. Ky është problemi i tij. Problemi i madh qëndron në faktin që Platini foli përpara se të fliste drejtësia. Në demokraci, ekzekutivi nuk mund dhe nuk duhet të prononcohet kurrë përpara drejtësisë. Drejtësi që nuk e morëm kurrë. “Udhëzimi” dhe “porosia” e tij u zbatuan pikë për pikë, si nga Komisioni i Disiplinës, ashtu edhe nga Komisioni i Apelit. Pas vdekjes së një tifozi të La Korunjas, i goditur nga ultrasit e Atletikos së Madridit, qeveria dhe futbolli spanjoll premtojnë të marrin masa radikale kundër dhunës. Spanjolli Pedro Tomàs është në krye të Komisionit të Apelit. Vendimi i djeshëm u firmos nga vetë ai. Ndërkohë që vendi i tij do me çdo kusht të “zhdukë” dhunën dhe ultrasit, Pedro Tomàs çertifikoi dje dhunën dhe racizmin. Përtej “porosisë” së Platinisë, tani na mbetet KAS-i në Lozanë. Të gjithë urojmë, shpresojmë dhe besojmë që në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të marrim drejtësinë. Drejtësinë që meritojmë.